Google search engine
Home Politike Drejtesi Gjykata e Lartë prish planet për kapjen e Kushtetueses, vendi i Fatmir...

Gjykata e Lartë prish planet për kapjen e Kushtetueses, vendi i Fatmir Hoxhës do të plotësohet pasi të emërohet anëtari i dhjetë

0
390

Gjykata e Lartë ka prishur planet për të kapur Gjykatën Kushtetuese nga politika. Gazeta pak kohë më parë denoncoi faktin se po tentohej që të shkonte në Kushtetuese kandidati i renditur i pari Alket Jaupi, i cili gëzon mbështetjen e Avokates së Popullit dhe presidentit. Por Gjykata e Lartë ka vendosur dje të mos lejojë asnjë manovër. Në Kushtetuese janë 3 vend vakante që duhet të plotësohen nga Gjykata e Lartë. KED mbylli procesin për vendin e lënë bosh nga Fatmir Hoxha dhe i dërgoi gjykatës emrat: Alket Jaupi, Sandër Beci, Ervin Karamuço dhe Albert Demirneli. Plani i presidentit dhe njerëzve të tij në KED ishte që Gjykata e Lartë të mos shprehej dhe pas 30 ditësh të bëhej emërimi i emrit të renditur i pari. Kjo sepse ligji kërkon që Gjykata e Lartë të ketë 10 anëtarë që të marrë vendim, ndërkohë që ajo ka 9. Por dje kryetari në detyrë i Gjykatës së Lartë, ka thirrur mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe u vendos që të pritet emërimi i anëtarit të dhjetë. Gjykata e Lartë sqaroi se ndryshe nga sa ndodh me Presidentin dhe Kuvendin, nuk ka afat 30 ditor për Gjykatën e Lartë dhe do pritet plotësimi i saj. Për këtë arsye ju bë dhe një apel Këshillit të Lartë Gjyqësor që të nxitojë me emërimin e anëtarit të radhës në Gjykatën e Lartë. “Kryetari në detyrë i Gjykatës së Lartë, referuar pikës 3 të nenit 7/ç të ligjit të sipërcituar, ka thirrur mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila u mbajt në datën 26.01.2022, sipas një rendi dite të përcaktuar paraprakisht. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë; referuar Kushtetutës dhe ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese…”, që nuk vendosin afat kohor, brenda të cilit Gjykata e Lartë duhet të ushtrojë kompetencën për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese; në kushtet kur, Gjykata e Lartë ka në përbërje të saj 9 gjyqtarë nga numri i përgjithshëm prej 19 gjyqtarësh, ndërkohë që sipas ligjit nevojiten të paktën 10 gjyqtarë për të konsideruar të vlefshme mbledhjen e posaçme për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; me angazhimin, gatishmërinë, por dhe me përgjegjësinë e lartë për të përmbushur këtë kompetencë kushtetuese, mbeten në pritje të plotësimit pa vonesë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të numrit të nevojshëm të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që bën të vlefshëm fillimin dhe përfundimin nga mbledhja e posaçme të procedurës për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, njoftoi Gjykata e Lartë.

KLGJ vihet në lëvizje

Teksa Gjykata e Lartë i bëri një apel KLGJ-së, kjo e fundit ka pasur një mbledhje dhe vendosi që të hedhë një tjetër hap drejt plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë. Ajo kualifikoi për emërimi gjyqtaren Arbena Ahmeti. “Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit etik dhe profesional, për periudhën 2017 – 2019, të gjyqtares znj. Lutfije Celami. Në vijim, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë, të shpallur me Vendimin nr. 187, datë 28.05.2020, për kandidatin z. Sokol Ibi, si dhe kualifikimin e kandidates znj. Arbena Ahmetaj dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën e Lartë për pozicionin e lirë, të shpallur me Vendimin e Këshillit nr. 84, datë 26.02.2020”, njoftoi KLGJ për çështjet e diskutuara dje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here