Prokuroria Speciale SPAK mësohet se ka nisur hetimet për Ardian Hajdarin, anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ai akuzohet për falsifikim të dokumenteve, në garën për t’u zgjedhur anëtar i shkallës së dytë të vettingut vite më parë.
Hajdari është kallëzuar penalisht në qershor 2020 nga ish-magjistratët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla. Të tre këta ish-magjistratë janë shkarkuar nga vettingu. Më parë, është kallëzuar dhe anëtari Luan Daci, i cili tashmë është përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë sepse akuza për falsifikim ndaj tij u konfirmua dhe ai u dënua.
“Krijohen dyshime se ai ka krijuar të ardhura nga avokatia gjatë vitit 2017, por nuk i ka deklaruar në tatime dhe, si rrjedhim, nuk i ka deklaruar as në deklaratën e tij të pasurisë”, pretendojnë denoncuesit të cilët shtrojnë pyetje se si janë përballuar prej tij shpenzimet për jetesë dhe si janë paguar taksat fikse të ushtrimit të aktivitetit të tij”, thuhet në kallëzimin e dorëzuar në SPAK.
Ish -prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari, ish-prokurori i Korçës Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla, kanë kallëzuar në SPAK Ardian Hajdarin për falsifikim dokumentesh me qëllim që të zgjidhej në Komisionet e Rivlerësimit.









































