Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur punën për zgjedhjet e pjesshme vendore, por pritet të ketë një përplasje sa i takon ndarjes së komisionerëve në KZAZ, qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit. Në nenin 29 thuhet qartë se përbërja e KZAZ përcaktohet mbi bazën e atyre votave që partitë kanë marrë në zgjedhjet e fundit vendore në këshillat bashkiakë. “Renditja e partive për efekt të ndarjes së vendeve në KZAZ, bëhet mbi bazën e numrit të mandateve që ka fituar partia politike nga zgjedhjet pararendëse për Kuvendin. Në rastin e zgjedhjeve vendore, renditja përcaktohet mbi bazën e numrit të votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendorë në zgjedhjet pararendëse nga partitë parlamentare. Në rast se dy ose më shumë parti kanë të njëjtin numër mandatesh dhe nuk është e mundur të përcaktohet partia përfituese, renditja e tyre përcaktohet mbi bazën e numrit të votave të fituara në shkallë vendi. Nëse dy ose më shumë parti kanë të njëjtin numër votash, renditja përcaktohet nga KQZ-ja me short”, thuhet në pikën 4.
Ja çfarë pritet të diskutojë KQZ
Ndërkohë gazeta ka siguruar vendimin që pritet të diskutojë sot KQZ e cila propozon Partia Socialiste të paraqesë tre kandidatura për anëtarë të KZAZ-ve, dy kandidatura si parti e parë e shumicës parlamentare dhe kandidatura e tretë për të realizuar baraspeshimin politik shumicë-opozitë në përbërjen e KZAZ-ve. Ndërsa partia e parë dhe e dytë e opozitës parlamentare të cilat do të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve, janë Partia Demokratike dy anëtarë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim një anëtar. “Partitë politike do të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), që do të ngrihen dhe funksionojnë për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 Mars 2022, si më poshtë: a) Tre anëtarë propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë; b) Dy anëtarë propozohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë; c) Një anëtar propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim”, thuhet në vendimin që prite të miratohet sot. Nga ana tjetër KQZ ka vendosur të shmangë zgjedhjet e 2019 dhe 2021 duke u bazuar tek zgjedhjet parlamentare të 2017. Sipas burimeve, pritet përplasje mes PD dhe LSI pasi PD nuk e njeh LSI si pjesë të opozitës dhe manovrat e KQZ duke shmangur zgjedhjet e 2019 dhe 20121 pritet të sjellin debate mes palëve. “Referuar nenit 183, paragrafi 8, të Kodit Zgjedhor, në zgjedhjet e para të përgjithshme dhe në zgjedhjet e para vendore, e drejta e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe të GNV-ve përcaktohet sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe konfigurimit shumicë-pakicë të Kuvendit të Shqipërisë në çeljen e tij menjëherë pas këtyre zgjedhjeve. Neni 29 i Kodit Zgjedhor përcakton qartë procedurën që ndiqet për caktimin e partive që kanë të drejtë të propozojnë anëtarët e KZAZ-ve. Nga ana tjetër, vetë legjislatori ka përcaktuar një dispozitë kalimtare, nenin 183, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Kjo dispozitë u zbatua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 kur caktoi partitë të cilat gëzonin të drejtën për të propozuar anëtarët e KZAZ”, thuhet në vendim.






































