Turqia ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të mbyllen 13 apo 14 organizata dhe institucione arsimore dhe shëndetësore, pasi financohen nga Fetullah Gylen. Presidenti turk Recep Tayyip Erdo?an gjatë vizitës në Tiranë e bëri të qartë se kjo çështje nuk duhet të diskutohet më. Mediat turke në fundjavë i kanë kushtuar rëndësi kësaj çështje dhe portali “Dirili Postasi” ka publikuar një artikull ku tregon me detaje se si u ngritën në Shqipëri institucionet e financuara nga Gylen dhe cilat janë ato për të cilat Ankaraja kërkon që të mbyllen. “Sot në Shqipëri operojnë 14 organizata, duke përfshirë 2 universitete (Universiteti Beder, Universiteti EPOKA), 5 kolegje (arsim parashkollor dhe parauniversitar), 5 medrese dhe 2 institucione të kursit të gjuhës. Janë rreth 7 mijë studentë që janë rritur nën drejtimin e FETO-s, 2 mijë prej të cilëve janë në arsimin e lartë”, thuhet në artikull. Sipas shkrimit, gylenisët kanë rritur ndikim e tyre edhe në komunitetin Mysliman Shqiptar. “FETÖ privatizoi dhe mori medresetë e KMSH në qytetet e Kavajës, Korçës, Beratit, Elbasanit dhe Tiranës në kuadër të Fondacionit Sema. Ai i hapi vetes një derë të re të ardhurash me paratë që mblodhi si donacione. FETÖ, e cila u aktivizua gjithnjë e më shumë në KMSH, siguroi që në zgjedhjet e brendshme të zgjidhej kryetar dhe një person që nuk ishte teolog”, thuhet më tej në artikull.
Lista e institucioneve
Në listën e publikuar nga mediat, përfshihet edhe Spitali Amerikan, një portal dhe disa institucione të tjera për të cilat Erdogan ka dhënë ultimatum të mbyllen. “Turgut Özal është një nga organizatat ombrellë e shkollave të FETO në Shqipëri, e cila përfshin Universitetin Epoka, Kolegjin Turgut Özal në Tiranë, Kolegjin Turgut Özal në Durrës dhe Shkollën Ndërkombëtare Memoriale”, thuhet më tej në artikull. Në artikull theksohet se ka dhe portale dhe shtëpi botimi që Erdogan ka kërkuar të mbyllen, sepse janë të financuara nga Gylen. Madje akuzohet dhe Departamenti i Gazetarisë për mbështetje ndaj organizatës. “Duke kontrolluar Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, anëtarët e FETO-s dominuan median duke punësuar në universitetet e tyre figurat më me ndikim në universitetet shtetërore”, thuhet më tej. Në artikull tregohet se të lidhura me FETO janë dhe organizata: Horizonte të Reja, ACITAD dhe Fondacioni SEMA. Po ashtu tregohet se si FETO ka hyrë në Shqipëri. “Anëtarët e FETO-s, hynë në vend me Fondacionin Gülistan që ata themeluan në vitin 1993, përfunduan Kolegjin Mehmet Akif në Tiranë në të njëjtin vit, Kolegjin Turgut Özal në Tiranë dhe Kolegjin Hasan Pasha në Shkodër në 2001. FETO-istët, hapën më pas Memorial International School of Tirana (MIST) në vitin 2001 për të vënë nën mbrojtjen e tyre fëmijët e pasur, duke ndikuar në biznesin, politikën dhe ekonominë e vendit”, thuhet më tej.






































