Pas lajmit të publikuar në media se Bashkia e Tiranës do të kërkojë hetim nga SPAK, por dhe ndërkombëtarët për kreun e Federatës, kjo e fundit ka dalë me një njoftim teksa bën me dije se ka vendosur të ndryshojë orarin e zgjedhjeve për shoqatën rajonale të Tiranës. Fillimisht ishte vendosur që zgjedhjet në Tiranë të mbaheshin dje në orën 11:00 në zyrat e reja të FSHF-së, por ato u shtynë dhe u mbajtën dje në orën 15:00. Këto zgjedhje për shoqatën rajonale të Tiranës kanë një rëndësi të madhe për federatën sepse dërgon 8 delegatë në zgjedhjet për president të FSHF-së që do mbahen më 2 mars. Në total zgjedhjet për president kanë 55 anëtarë ose delegatë, ndërsa deri më tani janë zhvilluar zgjedhjet në Elbasan dhe Durrës ku kanë fituar kryetarët e mbështetur nga Duka dhe Federata, për të cilat ka pasur akuza të forta manipulimesh dhe ndër të tjera edhe hetime. Ditët e fundit ka pasur edhe një investigim që nxirri zbuluar federatën, pasi kjo e fundit zhduku 2.1 milionë dollarë që FIFA kishte dhënë për të zbutur efektet e pandemisë. Për këtë arsye kryebashkiaku Veliaj ka kërkuar të hetohet çdo qindarkë. Por sa i takon këtij lajmi dje ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo e fundit përmes një deklarate, thekson se kjo është një ndërhyrje e pastër madje me mënyra shantazhuese teksa akuzon Veliajn se po bën rolin e Prokurorit e të Kryeministrit me ndërhyrje të tilla. Gjithmonë sipas FSHF, Erion Veliaj me këtë lëvizje ka bërë një autogol mediatik. “Autogoli mediatik i Bashkisë së Tiranës vërteton ndërhyrjen e dënueshme të saj për të prishur zgjedhjet, të denoncuar nga federata. Ne jemi të sigurt se komuniteti i futbollit në vend do ta konsiderojë në pozicion “jashtë loje” sulmin e Bashkisë së Tiranës ndaj lirisë së zgjedhjeve dhe se nuk do të intimidohet fare nga abuzimet mediatike të Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Përkundrazi, qetësisht do të shkojë në votime duke qenë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë të panegociueshme me asgjë”, thuhet në njoftimin e FSHF.






































