Google search engine
Home Politike Drejtesi Kritikat për hartën e re gjyqësore, KLGJ planifikon futjen e gjyqeve online,...

Kritikat për hartën e re gjyqësore, KLGJ planifikon futjen e gjyqeve online, nuk do të ketë prani në gjykatë të të burgosurve

0
211

Ndryshimi i hartës së re gjyqësore pritet të fusë në Shqipëri gjyqet online. Plani është që në vend të ketë një gjykatë Apeli dhe 12 rrethesh, por kjo hasi shumë kundërshtime dhe debate se do të hasen probleme me largësinë, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor ka menduar që të japë një zgjidhje, ku do të planifikohet futja e gjyqeve online dhe nuk do të ketë më prani të të burgosurve në gjykatë, por ata do të jenë të pranishëm përmes videokonferencave. Kjo bëhet e ditur në planin e miratuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend, ku janë dhënë disa shembuj nga funksionimi i gjykatave në Suedi dhe në vendeve të ndryshme të botës. Në raport, thuhet se dalja në pension e një kryetari gjykate, ose probleme me vendet e lira dhe vendet e prapambetura, ishin disa nga arsyet të cilat në disa vende i çuan gjykatat drejt një bashkimi dhe organizimin e gjyqeve online. “Zgjidhja për t’u mbështetur në degët dhe vendndodhjet dytësore të gjykatave u kritikua në një raport të mëvonshëm vlerësimi të kryer nga Agjencia Suedeze për Menaxhimin Publik. Ky raport argumentoi se ndikimi negativ i degëve dhe vendndodhjeve dytësore, siç janë vështirësitë dhe kostot që lidhen me menaxhimin e ndërtesave të veçanta, tejkalon ndikimin e mundshëm pozitiv. Raporti jep argumente kundër marrjes në konsideratë të aksesit në drejtësi të lidhur ngushtësisht me afërsinë me ndërtesën e gjykatës. Aksesi në drejtësi mund të përmirësohet edhe duke ofruar mjete më të mira të TI-së për qytetarët për të aksesuar në shërbimet e gjykatës në internet, dhe përdorimin e mjeteve të video konferencës, etj”, thuhet në planin e KLGJ.

Instalimi i sistemeve video

Më tej theksohet se edhe pandemia tregoi se fare kollaj mund të bëhen gjyqet përmes videokonferencave. “Nga ana tjetër, distanca dhe koha e udhëtimit nuk janë faktorët e vetëm të rëndësishëm, kur merret parasysh ndikimi në aksesin në drejtësi. Në mënyrë të veçantë, përpjekjet për reforma anë lidhur shpesh me aksesueshmërinë më të madhe digjitale. Digjitalizimi mund të zvogëlojë numrin e herëve që një palë e cila kërkon drejtësi do të duhet të paraqitet personalisht në gjykatë. Zhvillimi i seancave gjyqësore me video është një faktor tjetër që mund të ndikojë në nevojën për afërsi fizike me gjykatat. Në shumë vende, pajisjet video u instaluan fillimisht në burgje, duke ulur kështu nevojën për të transportuar të burgosurit për në gjykatë. Por, përdorimi i videokonferencës po zgjerohet me shpejtësi në llojet e tjera të seancave”, theksohet në planin e KLGJ.

Harta e re gjyqësore

Ndërkohë, kujtojmë se qeveria dhe organet e drejtësisë pak kohë më parë ranë dakord për miratimin e hartës së re gjyqësore. U vendos se në vend do të kemi një gjykatë apeli dhe 12 rrethesh. Gjykatat që do të qëndrojnë në funksion do të jenë vetëm ato të qarqeve, ndërsa ato të qyteteve do të shkrihen. Harta e re parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej.


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here