Google search engine
Home Aktualitet Filmi “Internimi” me ngjarje në vitet ’80-të, aktorja Ioana Sinani: Moza, një...

Filmi “Internimi” me ngjarje në vitet ’80-të, aktorja Ioana Sinani: Moza, një viktimë e asaj kohe të vështirë

0
356


Jeta e tre gjeneratave të një familjeje shqiptare gjatë regjimit komunist, shkatërrohet, kur një mik i familjes, i sapo riatdhesuar nga Amerika, arrestohet për spiunazh. Me skenar dhe regji nga Kast Hasa në filmin “Internimi” është Shqipëria gjatë sundimit komunist. Filmi i zhvillon ngjarjet në vitet ’80 dhe këto ditë publikun e gjen në kinematë e Tiranës. Moza është një personazh real i asaj kohe. Një viktimë e asaj kohe të vështirë. Personazh në film, që luhet nga aktorja Ioana Sinani. Një rol, të cilin siç tregon dhe vetë regjisori ia besoi që në takimin e parë. Aktorja Ioana Sinani tregon se ndihet vërtetë me fat, që regjisori Kast Hasa ia besoi rolin e Mozës. “Bashkëpunimi nisi nga një njoftim që më erdhi se do të realizohej një film me metrazh të gjatë. Sikurse të gjithë aktorët dorëzova CV dhe pas disa ditësh më konfirmuan se duhet të bëja casting për këtë rol. Ky personazh është histori reale treguar brez pas brezash si viktima e asaj kohe”, tregon aktorja. Diplomuar në regji-teatri në Akademinë e Arteve, Ioana Sinani këtë herë është pjesë e filmit “Internimi”. Në ekranin e kinemasë vjen me një personazh që siç shprehet dhe vetë gjatë xhirimeve kuptoi shumë për atë kohë të vështirë. “Moza është një viktimë e asaj kohe të vështirë edhe tragjike do thosha unë. E internuar, jeton në atë fshat me gjithë të tjerët. Operatori e shfrytëzon fizikisht edhe moralisht. Shet shpirtin edhe jo vetëm. Moza nuk ka ndjenja është e ftohtë e vuajtur. Dorëzohet sepse ka nevojë, por nuk do. Gjatë xhirimeve të filmit kuptova se sa e vështirë ishte ajo kohë edhe pse kam dëgjuar nga prindërit, por nuk e kisha imagjinuar kurrë veten në atë pozicion. Edhe pse lexova shumë më duhej ta jetoja, që ta besoja”, tregon aktorja.

Eksperienca me filmin

Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe është xhiruar në Divjakë, Lushnjë dhe Ferras. Për aktoren Ioana Sinani, e cila është diplomuar për regji-teatri në Akademinë e Arteve, por dhe specializuar për Film & TV studies në Athinë ku jeton aktualisht puna me filmin “Internimi” ishte një eksperiencë e bukur. “Disa javë në Divjakë me aktorët edhe miqtë e mi pasi Akademia e Arteve është shumë e vogël ishte eksperiencë shumë e bukur. Moza ishte një personazh të cilin e kuptova edhe dashurova menjëherë”, tregon ajo. Filmi i zhvillon ngjarjet në vitet ’80, por aktorja Ioana Sinani thotë se brezat që nuk e kanë jetuar atë kohë duhet të ndihen me fat. Ajo thotë se janë të lirë të jetojnë. “Kush e ka jetuar atë kohë, prindërit tanë apo edhe më parë do gjejnë veten e tyre, do rikthehen pas në vite ndoshta. Kush nuk e ka jetuar siç jam unë edhe brezi im do ndihen me fat, sepse jemi të lirë të dashurojmë, të dashurohemi edhe të jetojmë”, thotë aktorja Sinani. Në role te “Internimi” përmendim dhe aktorët si Klodian Hoxha, Krist Baçi, Enxhi Cuku, Kristaq Pilo, Anila Muçaj, Jorida Meta, Gramoz Gashi apo Arjeton Osmani. Në filmin e ngjaje në vitet ’80, familja Kulla përpiqet të mbijetojë, ndërsa janë të internuar nga regjimi komunist. Për (Arturin) djalin e familjes, situata vështirësohet më tepër, pasi vendbanimi i tij i ri, është pranë shtëpisë së të dashurës së tij (Frida), e cila është e detyruar të fejohet me operativin. Familja vazhdon të jetojë vuajtjet e persekutimit ndërkohë, siç zbulohet më vonë, i sapo riatdhesuari (Nik Nuri) në përpjekje për të ndihmuar familjen, e komplikon situatën më tutje. Një produksion i CineKast, ky është film debutues i regjisorit Kast Hasa dhe po shfaqet në kinema Cineplexx dhe Millennium në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here