Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të gjetur një zgjidhje mbi situatën e krijuar nga tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë. Ditën e djeshme Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka zhvilluar një takim me kryediplomatin rus Sergei Lavrov në Gjenevë. Takimi i djeshëm ka mbyllur një tur takimesh të Blinken, fillimisht në Ukrainë e më tej në Gjermani në përpjekje për të koordinuar përgjigjen e perëndimit në rast të një sulmi rus ndaj Kievit. Pas përfundimit të takimit, diplomatët e dy prej shteteve më të fuqishme të botës, kanë vlerësuar bisedimet si të sinqerta dhe kanë justifikuar mos arritjen e një marrëveshjeje apo gjetjen e një zgjidhjeje për situatën, me faktin që diçka e tillë pritej dhe qëllimi i takimit ka qenë të kuptonin njëri tjetrin dhe pozicionet respektive në lidhje me çështjen. “Ky është një moment kritik. Ju keni të drejtë: ne nuk presim t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona këtu sot. Por, unë shpresoj dhe pres që ne të mund të shohim nëse rruga e diplomacisë, e dialogut, mbetet e hapur. Ne jemi të përkushtuar për të ecur në atë rrugë, për t’i zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore”, ishte shprehur Blinken që përpara nisjes së takimit. Ministri rus Lavrov ka deklaruar se shpreson që pas përfundimit të një raundi të tillë të sinqertë bisedimesh me Shtetet e Bashkuara, intensiteti i emocioneve që ka shkaktuar situata të ulet, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, është treguar agresiv në deklaratë e dhënë. Sipas tij, Rusia nuk ka frikë nga askush, qoftë ajo edhe Shtetet e Bashkuara. Kjo deklaratë e tij është nxitur edhe nga kërcënimet e shumta të ardhura nga SHBA, Bashkimi Europian dhe NATO, për masa, sanksione dhe kundërpërgjigje të menjëhershme në rast ne Ukraina sulmohej. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë që të tërheqë mijëra trupa që ka grumbulluar pranë kufirit me Ukrainën, duke paralajmëruar se çdo inkursion do të përballet me një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtëpia e Bardhë dhe partnerët e saj.
Qëndrimet
Moska mohon se po planifikon një sulm dhe kërkon që aleanca ushtarake e NATO-s e udhëhequr nga SHBA t’i japë fund aktivitetit në Evropën Lindore dhe Ukrainë dhe të mos pranojë si anëtare asnjë nga shtetet e ish Bashkimit Sovjetik. Blinken ka paralajmëruar gjithashtu se gjithçka varet nga Rusia dhe mënyrat e sjelljes së saj me Ukrainën.“Unë besoj se ne mund ta çojmë përpara këtë punë të zhvillimit të mirëkuptimit dhe marrëveshjeve së bashku që sigurojnë sigurinë tonë të ndërsjellë. Por kjo varet nga ndalimi i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Pra, kjo është zgjedhja me të cilën përballet Rusia: Ajo mund të zgjedhë rrugën e diplomacisë që çon në paqe dhe siguri ose rrugën që do të çojë vetëm në konflikt, pasoja të rënda dhe dënim ndërkombëtar”, ka thënë ai. Sekretari amerikan ka sqaruar se SHBA do të ndajë shqetësimet dhe idetë e tij me Rusinë javën e ardhshme me shkrim. Edhe Lavrov tha se shteti i tij e pret një përgjigje me shkrim javën e ardhshme ndaj kërkesave të sigurisë së Rusisë. “Propozimet tona janë jashtëzakonisht konkrete dhe ne presim përgjigje po aq konkrete”, tha ministri i jashtëm rus. Ai i bëri thirrje perëndimit t’i japë fund histerisë anti-ruse, pasi sipas tij Rusia as nuk po kërcënon e as është duke sulmuar askënd, siç po përpiqe ta paraqesin disa.
Pretendimet ukrainase
Shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë bërë me dije të premten se Kremlini është duke
rekrutuar mercenarë në mënyrë aktive dhe duke i dërguar ata për trajnime intensive në zonat e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës. Sipas agjencive të inteligjencës, karburant, tanke, artileri dhe predha janë dërguar në mënyrë sekrete në zonë nga Rusia. Nga ana tjetër, vendet baltike, Lituani, Estoni dhe Letoni, kanë premtuar sigurimi e raketave anti-ajrore por jo vetëm, në përpjekje për të blinduar mbrojtjen ukrainase. “Estonia, Letonia dhe Lituania dhe aleatët e tyre po punojnë së bashku me shpejtësi për t’i dorëzuar ndihmën e sigurisë Ukrainës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të mbrojtjes të këtyre vendeve. Sakaq. Kanadaja ka siguruar një kredi prej 95.6 milionë dollarësh, në përpjekje për të ndihmuar Ukrainën në kërcënimin që i paraqitet nga Rusia. Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau tha se vendi i tij po shikonte gjithashtu mënyra të tjera për të mbështetur Kievin, ndërsa kriza me Rusinë thellohet.









































