Ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të shkarkuar nga detyra për shkak të vetingut apo të dorëhequr do shijojnë të qetë pasuritë e tyre. Edhe pse rezultojnë si gjyqtarët më të pasur në vend, 7 emra ju kanë shpëtuar hetimeve. Pak kohë më parë pati një padi nga avokat Fran Dashi, i cili kërkoi të hetoheshin emrat e dorëhequr apo ngelur në veting, me argumentin se kanë fshehur pasuritë. Në kërkesën që SPAK ka dorëzuar në gjykatë për pushimin e hetimeve, shprehet se ka disa pasaktësi në deklarimin e pasurive, të cilat janë të natyrës administrative, por nuk janë kryer vepra penale. SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes për Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari, Tom Ndreca dhe Xhezahir Zaganjori. Ndërkohë, vijojnë hetimet për Bashkim Dedjan, Shkelzen Selimin, Admir Thanzen Fatos Lulon dhe Guxim Zenelaj. “Kërkoj: Pushimin e çështjes penale nr. 137/2020 regjistruar për veprat penale të Refuzimi për deklarim, mos deklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”, thuhet në kërkesën e prokurores Doloreza Musabelliu.
Të ngelurit në veting avokatë
Tani që SPAK ka pushur hetimet, duket se të ngelurit në veting do shijojnë pasuritë dhe mund të vijojnë të qetë profesionin e avokatit. Gati 99 për qind e emrave të shkarkuar dhe dorëhequr janë bërë avokatë dhe kanë zyra avokatie. Nëse shohim të dhënat e QKB, i pari që iu fut botës së avokatisë është Bashkim Dedja. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese kaloi fazën e parë të vetingut, por ngeli në Apel për shkak të problemeve me pasurinë. Shtëpia në plazh, që ja sekuestroi dhe SPAK, i hapi shumë punë. Tjetër emër është ish-gjyqtari i Tiranës, Artan Lazaj. Ai u shkarkua nga detyra në janar të vitit 2019 me vendim të formës së prerë nga KPA. Po ashtu në lista ka emra si: Adriatik Cama, Antoneta Sevdari, Rovena Gashi, Ramadan Troci, etj. Sipas të dhënave të QKB shumica e zyrave të avokatisë janë hapur gjatë viteve 2019 dhe 2020. Përveç emrave që janë shkarkuar nga vetingu, janë dhe 5 të tjerë që janë dorëhequr nga detyra dhe i janë futur fushës së avokatisë. Arjana Fullani, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshortja e Ardian Fullanit rezulton sipas QKB që ka hapur zyrë avokatie. Ajo u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë dhe për pasojë i shpëtoi dhe vetingut. Një tjetër emër është Mirela Fana, edhe kjo ish-anëtarë e Gjykatës së Lartë. Në QKB rezulton se ajo është bërë bashkëpronare në zyrën e avokatisë së bashkëshortit. Mes emrave është dhe ai ish-kryeprokurorit të Tiranës Petrit Fusha. Edhe ai ka hapur zyrë avokatie.









































