Një nga lojtarët shqiptarë që ka shkëlqyer në këtë periudhë është Armando Broja, i cili aktivizohet me Sauthemptonin në Premier League angleze. Duhet thënë se Broja është në pronësi të Çelsit, por blutë e Londrës e kanë huazuar tek klubi tjetër anglez, për t’i dhënë mundësi aktivizimi dhe që lojtari të fitojë përvojë para se të kthehet sërish ë kryeqytetin anglez. Broja ia ka dalë të tregojë potencialin e tij, pasi llogaritet si një nga elementët më të mirë në Premier League për moshën e tij (U-20), duke shënuar gola e bërë lojë cilësore, aq sa u ka hyrë në zemër tek klubi e sidomos tifozeria e tij. Madje, tifozët i bëjnë presion klubit që ta blejë kartonin e futbollistit.
Oferta e Uest Hemit
Ndërkohë që diskutimet për Brojën, lojën dhe golat e tij vijojnë, një pistë e re debati për të lidhet me merkaton, ku për shqiptarin nuk kanë munguar ofertat bombastike. Kështu, Stiv Siduell, ish-lojtari i Çelsit, duke folur për të ardhmen e Armando Brojës, ka nxjerrë në skenë edhe skuadrën e Uest Hemit. Pas largimit të Haler drejt Ajaksit në janar të 2021-shit, trajneri Dejvid Mojes e ka shprehur qartë se është në kërkim të një sulmuesi potent, që të shtyjë sa më shumë ekipin përpara. Në lidhje me këtë ka folur edhe Siduell i cili në “BT Sport” përmend emrin e Brojës, si sulmuesin e duhur për Mojes dhe Uest Hemin, nëse do të duhet të bëjnë progres në Premier Ligë. “Unë do të preferoja Armando Brojën, është i ri dhe i uritur, mendoj që duhet të jetë tek Uest Hemit, ai po tregon se mëson shpejt, për mua është i duhuri”, përfundoi ish-lojtari i Çelsit. Në fitoren 2-3 të Sauthemptonit kundër Uest Hemit, Broja nuk arriti që të shënonte, por sulmuesi nuk doli pa lënë gjurmë nga ajo ndeshje, sepse fitoi një penallti, që i dha avantazhin për herë të dytë ekipit të tij. Gjithsej, shqiptari ka shënuar pesë gola në kampionatin anglez dhe dy në Kupë, duke pasur statistika të mira për një lojtar të moshës së tij dhe sidomos për efikasitetin e matur me minutazhin e aktivizimit si titullar.
Kombëtarja
Në miqësoret e muajit mars, Broja do të ketë shansin t’i tregojë trajnerit Edi Reja që t’i japë shansin e munguar deri më tani. Në eliminatoret e shkuara, pra ato të Botërorit “Katar-2022”, Broja luajti më shumë zëvendësues, vetëm disa minuta në pjesën e dytë, por edhe aq i mjaftuan që të jetë protagonist e vendimtar me golat e shënuar në dy duelet e rëndësishme me Hungarinë, ku ai i vetëm i dha përfaqësueses kuqezi plot 6 pikë. Trajneri Edi Reja mori kritika të ashpra që nuk e futi titullar në shumicën e ndeshjeve, por tekniku veteran italian u mbrojt me argumentet e tij, duke thënë se djaloshi shkodran nuk ishte ende gati fizikisht të përballonte 90-minutat në Kombëtare dhe se efikasiteti i tij ishte në minutat e fundit kur kundërshtari ishte i lodhur. Por argumenti i Rejës nuk i bindi të gjithë dhe në rrjetet sociale nuk munguan akuzat e deri fyerjet për trajnerin, që e akuzonin e nuk e fut Brojën për shkak të konjukturave të grupit që ka në dispozicion e për shkak të presionit nga lart në rangjet e larta të FSHF-së.









































