Avokat Spartak Ngjela ka komentuar protestën e 21 janarit të vitit 2011, ndërsa ka bërë fajtor dhe përgjegjës ish-kryeministrin Sali Berisha për tragjedinë që ndodhi atë ditë, ku katër protestues u vranë nga Garda e Republikës. Dje u mbushen plot 11 vjet nga ngjarja e “21 Janarit”, ku u bënë “kurban” katër të pafajshëm për të kënaqur orekset e qeverisë së asaj kohe, ndërkohë që kjo çështje ka mbetur e pagjykuar mirë dhe fajtorët kryesorë i kanë shpëtuar drejtësisë deri më sot. Por në lidhje me këtë ngjarje, dje ka reaguar ashpër edhe avokat Ngjela, i cili ka lëshuar një deklaratë tronditëse. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Ngjela zbuloi se 11 vite më parë gjatë tubimit Berisha ka qenë me armë në dorë dhe sipas tij, kishte vetëm një qëllim që të vriste Edi Ramën, sot Kryeministër i Shqipërisë dhe asokohe kreu i opozitës. “Në servera do ta shikoni Saliun me automatik në dorë, ja kanë hequr nga dora, çmenduri. Basha është në politikë, ishte urdhri i Saliut. Berisha e ka thënë vetë se do vriste Ramën. Ai nuk ka bazament politik që t’ia mbajë patologjinë e brendshme”, deklaroi ai.
SHBA e vendosur për të çuar Berishën përpara drejtësisë
Më tej avokat Spartak Ngjela ka bërë një edhe deklaratë të fortë në një postim në rrjetet sociale, teksa shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura për të çuar Berishën përpara drejtësisë. “Kur do të eliminohet Berisha? Por, kjo pyetje tani është e lidhur me historinë tonë. Dhe historia si proces kombëtar ka rregullat e veta strikte. Kurse, kjo histori 30 vjeçare ka kaluar nga korrupsioni moral i Sali Berishës, gjatë viteve 90′, në korrupsionin e tij material, gjatë viteve 2005-2013. Por, kjo vijë korruptive që ka ngrirë zhvillimin shqiptar, tani po shkallmohet tërësisht. Politika amerikane kërkon likuidimin e Saliut; dhe për këtë ka marrë në mbrojtje-drejtim prej saj Lulzim Bashën. Dhe kjo u tha hapur dje nëpërmjet ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim”, shkruan Ngjela.
Artan Hoxha zbardh detajet bombë për “21 Janarin”
Por për “21 Janarin” dje ka folur edhe gazetari Artan Hoxha. Ky i fundit duke folur në një prononcim për mediat, u shpreh se vrasja e 4 protestuesve në protestën e 21 Janarit të 2011, sipas tij, tregon qartë se fajtori i vetëm është pushteti i asaj kohe. Madje gazetari investigativ ka theksuar se 4 protestuesit janë vrarë nga dy kënde kryesore, ku nga një kënd ishte Agim Llupo dhe në këndin tjetër komandanti i Përgjithshëm i Gardës, Ndrea Prendi. “Më 21 janar Sali Berisha mori fund dhe faturën që ka bërë atëherë po e merr sot, “non grata” e SHBA. Ai kërkoi prova nga amerikanët, çfarë provash do të tjera ku prova është e qartë, ku katër persona të pafajshëm u vranë në mes të ditës në sy të të gjithëve. Vrasja është kryer nga dy kënde ku në njërin ndodhej Agim Llupo dhe në këndin tjetër Ndrea Prendi, Komandat i Gardës që janë dhe njerëzit e fundit që duhet të përdornin armët. Ziver Veizi dhe Hekuran Deda janë vrarë nga pozicioni i Agim Llupos, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa Aleks Nika dhe Faik Myrtaj janë vrarë nga pistoleta e komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi”, deklaroi ai. Ndërkohë gazetari Hoxha ndër të tjera ka bërë me dije se vlen të theksohet se dhe pse kanë kaluar 11 vite nga ngjarja, sipas tij, akoma dy nga vrasjet janë pa autor. Hoxha madje në fjalën e tij ka theksuar se Aleks Nikës i është gjetur një predhë në kokë, por që provat janë shkatërruar në laboratorin e kriminalistikës, dhe Hekuran Deda është vrarë nga një plumb tejshpues dhe nuk ka asnjë provë për këtë. Sipas Hoxhës, për sa kohë nuk ka autorë për dy vrasjet që ndodhen në dhunën e 21 Janarit dosja nuk mund të mbyllet.










































