Paris San Zhermen ka një plan “djallëzor” për ta mposhtur Realin e Madridit që deri tani ka rezultuar fitimtar në marrëveshjet mes palëve. Kështu, mësohet nga mediat sportive europiane në tërësi se PSG-ja po synon t’i hakmerret Real Madridit për çështjen e sulmuesit Kilian Mbape, i cili po refuzon rinovimin e kontratës për t’u transferuar në “Santiago Bernabeu” si lojtar i lirë në verë. Kjo ka bërë që drejtuesit e PSG-së, ta kontaktojnë sulmuesin e Realit, francezin Karim Benzema, dhe që po synojnë ta transferojnë në fund të këtij sezoni. Benzema te PSG-ja po shihet si zëvendësim ideal për Mbape, i cili duket i vendosur për ta vazhduar karrierën te Reali i Madridit. Benzema, 34-vjeçar, ende nuk i ka nisur negociatat me Realin për rinovimin e kontratës që i skadon vitin tjetër dhe këtë situatë po mundohet ta shfrytëzojë PSG-ja. Benzema është pjesë e Realit prej vitit 2009, e vazhdon të shkëlqejë me madrilenët. Ai ka shënuar 24 gola dhe ka asistuar 9 herë në 27 ndeshje për “Los Blancos” në të gjitha garat. Ndërkohë, një tjetër lajm surprizë vjen nga Franca, ku lojtarëve të Realit dhe atyre të ?elsit që nuk janë vaksinuar nuk u lejohet hyrja në Francë për ndeshjet e tyre përkatëse në Francë kundër Lilës dhe Paris San Zhermeit në Ligën e Kampionëve. Në fakt, Franca i ka ashpërsuar rregullat kundër Covid-19 dhe atletët profesionistë që nuk janë të vaksinuar nuk mund të hyjë në vend. UEFA njoftoi të enjten se ekipeve do t’iu kërkohet në parim t’iu përmbahen rregullave të zbatueshme në çdo vend. Shtëpia e futbollit evropian ende nuk e ka përditësuar rregulloren për fazën e eliminimit direkt në garat evropiane, për të cilën ka thënë se do t’iu ofrojë udhëzime shtesë klubeve. Presidenti i Francës, Emmanuel Makron, ka thënë së fundmi se dëshiron t’i godasë njerëzit e pavaksinuar duke ua kufizuar hyrjen në vendet publike, siç janë kafenetë, restorantet dhe kinematë. Duket e pamundur që UEFA, presidenti i së cilës Aleksander Ceferin e ka përkrahur zëshëm vaksinimin, do ta minojë qasjen e Francës duke këmbëngulur që ndeshjet të zhvendosen në terrene neutrale për t’i shmangur rregullat kundër Covid-19. Reali i Madridit do të udhëtojë drejt Francës për t’u përballur me PSG-në më 15 shkurt, për ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. ?elsi, kampion në fuqi, do të udhëtojë drejt Francës më 16 mars për përballjen me Lilën në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales. Është e paqartë se sa lojtarë të pavaksinuar kanë ekipet në fjalë.






































