Ish-kryeministri Sali Berisha duket se i trembet një hetimi të mundshëm nga drejtësia e re. Është folur gjatë kohët e fundit se pas shpalljes “non grata” mund të kemi një hap nga SPAK dhe duket se ish-kryeministri i druhet këtij fakti. Dje ai ka sulmuar me emër një anëtarë të SPAK, duke lëshuar kërcënime dhe duke bërë shantazhe me dosje për prokurorët e SPAK. ai ka sulmur dje prokurorin Alfred Shehu. “Prokurori që gënjeu publikisht, Alfrerd Shehu, u fut menjëherë në SPAK. E dini ju se ai është kriminel i vërtetë. Më ka ardhur tjetri në zyrë dhe më ka sjellë dosjen e djalit të tij të vrarë te dera e shtëpisë dhe ky prokuror ka mbajtur dosjen derisa ka kaluar çdo afat për ta apeluar. Ky prokuror e ka mbajtur 5 vite dosjen sepse thotë i interesuari mori 160 mln lekë dhe shpërblehet. Mund ti besohet këtij procesi”, tha Berisha dje në “Ora News”. Por pse ish-kryeministri sulmon anëtarët e SPAK? A i druhet ai nisjes së një procesi hetimor ndaj tij? Dyshimet janë se Berisha i druhet një surprize nga SPAK. Duhet theksuar se pak ditë më parë ai sulmonte anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe meraku duket se ishte te dosja e Gërdecit.
Berisha sulmon Yuri Kim
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ata që arritën të lobojnë në mënyrën më korruptive për shpalljen e tij “non grata” pa asnjë fakt, sa tani është bërë meme. Ai ju përgjigj deklaratave të ambasadores Kim se nuk mund të publikohen faktet. “Ata që arritën të lobojnë në mënyrën më korruptive për shpalljen time non grata pa asnjë fakt, sa tani është bërë meme “fakte kemi po nuk i themi”. Në këtë kontekst duhet të shkojmë te rrënjët e problemit. U shpalla non grata duke mos pasur asnjë problem personal, se kërkova shpalljen non grata të Sorosit në Parlament dhe forume ndërkombëtare. Kam kërkuar që SHBA-ja të ndalonte me ligj veprimtarinë e tij në vendet e Evropës Lindore”, tha ai. Ish-kryeministri Sali Berisha ka bindjen se pas vendimit për shpalljen e tij non grata në SHBA fshihet miliarderi Soros. Më tej ai sulmoi drejtpërdrejt ambasadoren Kim, ku duket se e ka shqetësuar deklarata e saj se provat u mblodhën nga CIA e FBI. “Ai që ishte drejtor në detyrë i shërbimeve sekrete dinte qindra herë më shumë sesa ata që thonë fakte kemi por nuk i themi. Kemi të bëjmë tha me përdorimin e ligjit si armë politike kundër kundërshtarëve të Edi Ramës, mikut të George Soros. Nëse Guvernatorja ka fakte dhe prova le ti çojë në Paris, në gjykatë. Në rast se nuk do, t’i dërgojë në Kongres. Nuk kanë dërguar asgjë se nuk kanë”, tha ai. Ai denoncoi edhe ndërhyrjen e Kim në problemet e brendshme të PD-së.
“Derisa ka muaj që merret me problemet brenda një partie, fatmirësisht pa asnjë sukses sepse shqiptarët kanë mendjen e tyre, këtë nuk arrin ta realizojë. U lidh aq ngushtë me foltoret sa që para çdo foltoreje lëshonte një deklaratë me shpresën se do të pakësojë sallën, në një kohë kur salla vetëm bëhej më e madhe”, tha ai.









































