Google search engine
Home Politike “21 Janari”, deputetët e PS mesazh qeverisë: Nuk mund të çojmë çdo...

“21 Janari”, deputetët e PS mesazh qeverisë: Nuk mund të çojmë çdo vit lule në Bulevard, të mbajmë fjalën për ndëshkimin e urdhëruesve të vrasjeve

0
180

Socialistët vijojnë të kenë bindjen se ngjarja e “21 Janarit” duhet të zbardhet sa më parë. Sot shënohen plot 11 vite nga “21 Janari” i përgjakshëm, ku gjatë protestës së opozitës së majtë u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Aktualisht kjo çështje ka mbetur e pagjykuar mirë dhe fajtorët kryesorë i kanë shpëtuar drejtësisë, ndërkohë që në lidhje me këtë ngjarje dje kanë folur edhe deputetët e Partisë Socialiste. Fillimisht ka qenë deputeti i PS, Bujar Çela, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” u shpreh se mazhoranca socialiste duhet të mbajë fjalën dhe të çojë para drejtësisë urdhëruesit e vrasjeve. Sipas tij, ka ardhur koha që “21 Janari” të zbardhet pasi nuk ka më lezet që çdo viti socialistë çojnë vetëm lule në vendin ku mbetët të vrarë katër protestuesit e pafajshëm. “Policia, Prokuroria, SPAK dhe BKH s’kanë nevojë të hetojnë për “21 janarin”, por duhet t’i rivendosin ekzekutorët dhe të arrestojnë pa u menduar aspak urdhëruesit e gjakderdhjes, si Sali Berisha, Lulzim Basha dhe bashkëpunëtorin e tyre në shumë krime të tjera ekonomike presidentin Ilir Meta, që asokohe i quajti pasi i vranë, të vrarët dhe ne që mbetëm gjallë “kokë pa larë”! Këtë detyrim nuk duhet ta harrojë kryeministri Edi Rama, Partia Socialiste dhe i gjithë sistemi jonë i drejtësie. Mbetëm duke iu çuar lule tek vendi ku mbetën të vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe bëmë premtime se do zbardhet dosja e “21 Janarit”, por asgjë deri tani, pasi thjeshtë kemi bërë sehir ata që i vranë me urdhrat që dhanë”, deklaroi ai.

Koçi: Meta dhe Berisha përgjegjës për “21 Janarin”

Por në të njëjtën linjë me zotin Çela dje është rreshtuar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, theksoi se trekëndëshi Berisha-Basha-Meta, sipas tij, janë përgjegjës për vrasjet e “21 Janarit”. “21 janari i vitit 2011 është një ditë e zezë për politikën dhe drejtësinë shqiptare. Sepse politika i vrau katër të rënët: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, ndërsa drejtësia i rivrau. Natyrisht që drejtësia duke qenë e kapur nga Partia Demokratike dhe klani “Berisha”, nuk ka pasur vullnetin për ta zbardhur gjithë skemën e organizimit të vrasjeve shtetërore në 21 janar dhe shpërdorimin e detyrës, ku nuk dalin në pah përgjegjësitë që kishte ish-kryeministri Sali Berisha deri tek ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe presidenti aktual, Ilir Meta, asokohe pjesë e qeverisë “Berisha 2”. Kështu që mendoj se trekëndëshi Berisha-Basha-Meta, janë përgjegjës për vrasjet e 21 Janarit”, deklaroi Koçi.

Dhima: Koha të zbardhet “21 Janari”

Më tej gazeta bisedoi edhe deputeten e PS, Antoneta Dhima, e cila u shpreh se ngjarja e “21 Janarit” duhet të zbardhet, ndërsa shtoi se SPAK dhe BKH e kanë mundësinë për të çuar para drejtësisë përgjegjësit. “Miratimi dhe zbatimi i reformën në drejtësi ka bërë që të ngrihem dhe funksionojnë dy institucionet e SPAK-ut dhe BKH -së janë ngritur e po funksionojnë prej disa kohësh dhe që kanë një mbështetje maksimale nga mazhoranca qeverisëse si dhe nga partnerët ndërkombëtarë SHBA dhe BE. Me krijimin e këtyre institucioneve patjetër që mund të hapen dosjet e mbyllura më parë dhe vënien para përgjegjësisë të gjithë personave të cilët kanë përgjegjësi jo vetëm për ngjarjen e “21 Janarit “, por për të gjitha dosjet e bujshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend”, deklaroi Dhima.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here