Google search engine
Home Politike Zgjedhjet e pjesshme vendore, Shehi refuzon bashkëpunimin me Berishën: Kërkon të përdorë...

Zgjedhjet e pjesshme vendore, Shehi refuzon bashkëpunimin me Berishën: Kërkon të përdorë aleatët e PD si mish për top

0
229

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, deputeti Dashamir Shehi i ka mbyllur derën e bashkëpunimit ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ka zërë se po punon në prapavijë për të dalë me kandidatë të pavarur në zgjedhjet e pjesshme vendore, të cilat janë më afër se kurrë, ndërkohë që paralelisht në prapavijë ai po tenton të “joshë” partitë aleate të Partisë Demokratike për t’u bërë bashkë në një koalicion kundër Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Por sa i takon kësaj çështje dje ka folur edhe zoti Shehi, i cili teksa ishte i ftuar në një studio televizive theksoi se në rast se demokratët hyjnë të përçarë në zgjedhje, ai nuk do të bashkëpunojë me asnjërin. “Në qoftë se këtë garë duan të bëjnë terror për sherret që kanë brenda, për të treguar kush është më i fortë, ky do ishte një gabim i madh. Kush pastaj do t’i përdorë këto partitë aleate, eja me mua që t’i biem atij tjetrit, kjo pastaj është mish për top, unë nuk e pranoj. Nuk do të bashkëpunoj as me Bashën dhe as me Berishën”, deklaroi ai. Më tej kreu i LZHK, Dashamir Shehi bëri apel për krijimin e një fronti opozitar, ku të jenë së bashku Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Sipas Shehit, bashkimi i PD dhe i të gjitha partive opozitare është e vetmja rrugë për të fituar në betejën e afërt zgjedhore. “Ca të grupit të Berishës, ca të grupit të Bashës, ca nga ne të tjerët, mund të bëhet një komision i cili përzgjedh 6 kandidaturat. Kjo është formula më e mirë për të bashkëpunuar. Për ne është e rëndësishme të fitojmë, sepse nëse do humbi këtë herë, dhe me 3-4 kandidatura është e sigurt që do humbasim, ne pas ditës së zgjedhjeve ndajmë aksione më të vogla opozitare”, nënvizoi ai. Por ideja e kreut të LZHK, Dashamir Shehi për bashkimin e Berishës, Bashës, LSI dhe të gjitha partive të tjera në një koalicion duket e pamundur të arrihet në situatën, ku përçarja në PD është më e thellë se asnjëherë më parë dhe duket se në këto zgjedhje lokale opozita do të ketë kandidatë të Sali Berishës dhe kandidatët të Lulzim Bashës. Kujtojmë që pas humbjes se zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha nuk ka thirrur asnjëherë aleatët e tij, fakt ky që u konfirmua dje edhe nga Shehi, i cili theksoi nuk e ka takuar as liderin historik të PD Sali Berisha dhe as Lulzim Bashën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here