Partia Socialiste ka bllokuar zgjatjen e afateve të komisionit hetimor për inceneratorët. Më 28 janar skadon afati 3 mujor i tij dhe PD ka kërkuar që të zgjatet me 1 ose 2 muaj, duke krijuar mundësi që të shqyrtohen provat dhe të dëgjohen dëshmitarët. Kryetarja e Komisionit, Jordia Tabaku prezantoi planin e punës, ku propozoi që më 22 shkurt të mbyllet hetimi dhe më 25 shkurt të bëhet gati raporti. Mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga socialistët dhe nënkryetarja e komisionit Ermonela Felaj. Sipas saj, faji ishte i PD që u zvarrit puna dhe brenda 28 janarit kjo çështje duhet të mbyllet. Në fund plani nuk u miratua dhe në këtë mënyrë u bllokua kërkesa për të zgjatur afatet. Tashmë është seanca plenare që do të vendosë. “Hetimet të përmbyllen deri më datë 28 dhe me datë 28 ju paraqisni raportin tuaj dhe në raportin tonë. Kemi diskutuar shumë herë për punën e këtij komisioni dhe kemi rënë dakord që 3 shin momentet kryesore, të mblidheshin të dhënat, të shkohej në vendet ku mblidhen këtë mbetje dhe pastaj të pyesim dëshmitarët dhe në këtu nuk kemi pasur asnjë kundërshtim. Prandaj po them sa nuk është vonë të kryejmë veprimet, propozoj që nesër të jemi në tre vendet ku janë ngritur impiantet, ta nisim që në mëngjes, në 10 të jemi të landfilli i Tiranës, pastaj të shohim inceneratorin e Fierit, të shohim ekziston punon, dhe të kuptojmë që në vitin 2014 situata e plehrave në bashkinë e Fierit ishte bërë aq alarmante saqë fusha ku mblidheshin plehrat kishe arritur lartësinë 9m. Pasi të mbarojmë Fierin, të kthehemi në Elbasan”, tha ajo. Por nga ana e tyre demokratët këmbëngulin se kemi të bëjmë me një krim, referuar dhe arrestimeve të SPAK. Tabaku akuzoi socialistë se duan t’i shmangen kësaj çështje. “Në tre javët që Felaj thotë që në datën 20 dhjetor ka përfunduar sesioni parlamentar, nuk ka pasur asnjë sesion të jashtëzakonshëm, tre javët që parlamenti nuk ka qenë në sesion llogariten si javë pune për komisionin. 430 mln euro nuk e zhduk dot korrupsionin, ne po themi që është procedurë korruptive dhe kushdo që e mbron është i përfshirë. Përfaqësuesit tanë mund të vijnë te dera, patjetër është e nevojshme që këto skena krimi t’i shohim, grupi i parë i PS e ka parë skenën e krimit se u mblodhën atje. Në sharrë kemi qenë jemi sulmuar si kriminelë, kemi tre padi”, tha Tabaku.
PD thërret 20 dëshmitarë
Pas administrimit të provave, PD ka vendosur të vijojë me procesin pyetjes së dëshmitarëve. Pas diskutimeve dje në sallë, u ra dakord që të thirren si dëshmitarë kryeministri Rama, zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ish-ministri Damian Gjiknuri, krerët e bashkive Fier, Tiranë dhe Elbasan, ish-ministri Shkëlqim Cani, disa gazetarë dhe krerët e inceneratorëve që janë në kërkim. Po ashtu do i kërkohet prokurorisë që të mundësohet dëshmia e Lefter Kokës në seancë, i cili është i arrestuar. “Fatkeqësisht Partia Socialiste votoi kundër hetimit të aferës së inceneratorëve që sot ka përpara drejtësisë, një ministër, z. Lefter Koka. Për tre orë jam përpjekur që t’i kërkoj kolegëve socialist t’i thërrasin arsyes dhe të votojnë planin e hetimit. Nuk ka asnjë arsye se përse t’i fshihen sot hetimit Edi Rama, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Shkëlqim Cani, Engjëll Agaçi, Armando Subashi, por njëkohësisht edhe Qazim Sejdini. Partia Demokratike prezantoi sot një plan hetimi me rreth 20 dëshmitarë. Kërkojmë thjeshtë që të zbatojmë rregulloren”, tha Tabaku.









































