Të gjitha bizneset dhe individët që duan të rivlerësojnë pronat e tyre kanë afat deri në 30 prill për të aplikuar. Afatet po shtyhen për herë të tretë për shkak të pandemisë, ndërsa janë bërë në total 64 mijë aplikime, por 47% e rivlerësimeve ende nuk janë paguar. Ligji është miratuar dje në Komisionin e Ligjeve. Ishte Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë ajo që sqaroi se nisma është ndërmarrë pas propozimeve dhe kërkesave të përsëritura nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim që të gjithë qytetarët, që kanë nisur procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në kuadër të ligjit nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, të kenë mundësi ta përfundojnë këtë proces. Vjero sqaroi se ligji në fuqi ka parashikuar të drejtën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për periudhën nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri më 31 dhjetor 2020, por situata e krijuar nga tërmeti dhe pandemia COVID-19, ka bërë që një pjesë e mirë e individëve apo bizneseve nuk kanë mundur të përfundojnë këtë proces, pavarësisht se kanë kryer aplikimin. “Janë 64 mijë aplikime, ndërkohë që vetëm 34 mijë kanë kryer pagesën e procesit të rivlerësimit, pra gati gjysma e tyre pavarësisht se kanë kryer aplikimin, ende nuk kanë kryer pagesën”, u shpreh znj.Vjero, duke shtuar se në rrethana të tilla ASHK-ja me qëllim dhënë kohën e mjaftueshme të gjithë atyre qytetarëve që kanë nisur ose që kanë interes të kryejnë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, fillimisht ka propozuar zgjatjen e afatit të aplikimit deri më datën 30 prill 2022.
“Ky akt normativ vjen si kërkesë e Kadastrës për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Tërmeti e pandemia ka bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të mos përfitojnë. Ka një numër të konsiderueshëm aplikimesh, janë 64 mijë aplikimeve dhe 34 mijë kanë kryer pagesat ndërsa rreth 30 mijë nuk kanë aplikuar. Për ato kërkesa që janë depozituar brenda datës 30 prill, dhe janë komplekse dhe kanë një afat të zgjatur për ti shqyrtuar, afati të zgjatet deri në fund të muajit qershor, me kushtin që individët dhe bizneset të kryejnë pagesën”, tha zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjerro”, tha ajo.









































