Qeveria ka vendosur të reformojë administratën publike këtë vit. Kryeministri Edi Rama prej vitesh ka kërkuar që të largohen ata punonjës që nuk i shërbejnë qytetarit, por nuk është se ka pasur shumë ndryshime. Mirëpo gjatë këtij viti, qeveria ka vendosur të ndërhyjë në disa ligje, të cilat do të sjellin një reformim total të administratës publike dhe të inspektorateve. Sipas planit të qeverisë për ligjet dhe aktet që do të miratohen këtë vit, një ndër ligjet ku do të ndërhyhet ndjeshëm është ai për nëpunësin civil. Sipas planeve të qeverisë, ndryshimet do të sjellin: 1. Rregullime në lidhje me kriteret e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil; 2. Rregullime në lidhje me afatin e pezullimit të nëpunësve civilë që zgjidhen si anëtarë të këshillave bashkiakë; 3. Rregullime në lidhje me masën e dëmshpërblimit në rastin e lirimit të nëpunësit civil për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit; 4. Rregullime në lidhje me zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë; 5. Rregullime në lidhje me procesin e vlerësimit të punës së nëpunësve civilë; 6. Rregullime në lidhje me elementët e hapave të pagës; 7. Rregullime në lidhje me organizimin dhe funksionimin e ASPA-s. Një tjetër draft ku do ndërhyhet është ligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Sipas planit të qeveris,ë dnryshiet do të konsistojnë në: Rregullimin e parimeve, si dhe mënyrës së krijimit, organizimit, funksionimit dhe tipologjisë së institucioneve të administratës shtetërore. “Gjithashtu, në këtë ligj duhet të përcaktohet mekanizimi i Mbikëqyrjes së performancës së institucioneve të administratës shtetërore, si dhe raportimi në Këshillin e Ministrave në lidhje me zbatimin e ligjit”, thuhet në plan. Por nuk ndalet me kaq, pasi të gjithë punonjësit e administratë se do futen në skaner. Qeveria do të marrë një vendim për vlerësimin e rezultateve në punë të nëpunësve civilë, i cili do të konsistojë në rishikimin e metodologjisë së vlerësimit të rezultateve në punë të nëpunësve civilë. Po ashtu do sjellë përmirësime dhe detajimin e procedurave të procesit të vlerësimit të rezultateve në punë të nëpunësve civilë.
Reformohen inspektoratet
Përveç administratës, qeveria ka vendosur që të reformojë edhe inspektoratet. Gjatë këtij viti është parashikuar ndryshimi i ligjeve “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit
Qendror” dhe “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. “Forcimi i rolit inspektues; Nxitja
dhe përmirësimi i procedurave inspektuese të rregullta ligjore dhe të digjitalizuara; ulja e barrës
administrative ndaj biznesit; reduktimi i veprimeve korruptive dhe rritja e transparencës; trajtimi
dinjitoz i inspektorëve dhe aftësimi i tyre profesional; zgjerimi i fushës së zbatimit të ligjit (tatimet, doganat);mungesa e një trupe kolegjiale ankimimi të pavarur nga inspektoratet; Nr. i
konsiderueshëm i vendimeve të shfuqizuara nga gjykata”, thuhet në qëllimin e ndryshimeve ligjore. Pra marrja e mandatit të tretë qeverisës do të shoqërohet dhe me zhvillime. Ndërkohë parashikohet të ndryshohet dhe procedurat sa i takon pranimeve të reja në administratën publike dhe në shërbimin civil.






































