Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e zhvilloi analizën e procesit 4-vjeçar të vetingut në një resort luksoz në Vlorë dhe e financoi atë me paratë e një kompanie private –emrin e së cilës vazhdon ta mbajë të fshehtë në cenim të transparencës, llogaridhënies dhe besimit të publikut. Aktiviteti me temë “Raport dhe Strategji” u zhvillua më 30 shtator, por dymbëdhjetë komisionerët e KPK-së dhe tre pjestarë të stafit administrativ u akomoduan në hotel për dy net fjetje dhe u kthyen në Tiranë më 1 tetor, raporton “BIRN”. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe tre vëzhgues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit si dhe dy përkthyes të tyre. Por ndryshe nga anëtarët e KPK-së, ata nuk i shijuan shërbimet e luksit të hotelit për “arsye etike”. “Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk qëndruan në resortin luksoz për arsye etike, pasi sipas rregullores, nuk u lejohet që të qëndrojnë në hotele që vlerësohen mbi nivelin mesatar të zonës ku gjenden,” i tha BIRN në kushtet e anonimatit një burim në dijeni të aktivitetit. Shqetësimet për cenim të etikës apo të perceptimit publik mbi komisionerët e vetingut nuk ishin pikëpyetjet e vetme mbi aktivitetin e zhvilluar shtatorin e vitit të kaluar. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se të gjitha shpenzimet për akomodimin, ushqimin, qiranë e sallës së konferencave dhe kostot e aktivitetit të KPK-së u paguan nga një kompani private – duke ngritur shqetësime edhe për konflikt të mundshëm interesi. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i tha BIRN se të gjitha shpenzimet e aktivitetit kishin kushtuar në total 300 mijë lekë. “Kjo kosto është përballuar me mbështetjen financiare të një kompanie/ sipërmarrje private, përmes një agjencie… pa ndikuar në fondet e buxhetit të shtetit të akorduar për KPK-në për vitin 2021”, tha sekretari i Përgjithshëm, Edmond Verçani në një përgjigje me shkrim. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit refuzoi të bënte publike emrin e kompanisë private dhe pronarët e saj, duke përdorur si pretekst një klauzolë konfidencialiteti në marrëveshjen e sponsorizimit të lidhur mes tyre.







































