Google search engine
Home Aktualitet Festivali “Pranverë me këngë”, për pasurimin e repertorit të muzikës popullore qytetare...

Festivali “Pranverë me këngë”, për pasurimin e repertorit të muzikës popullore qytetare me krijimtari të re si dhe kultivimi i traditave

0
228

Festivali “Pranverë me këngë” do të shënojë edicionin e parë në muajin mars në qytetin e Shkodrës. Duke ndjekur traditën e këngës popullore të qytetit të Shkodrës, në kuadër të ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të kësaj tradite, Bashkia Shkodër organizon edicionin e parë të këngës popullore “Pranverë me këngë”. Drejtoresha e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka e vlerëson këtë aktivitet, që vjen në vijim të veprimtarive që janë zhvilluar më parë në Shkodër, ku sipas saj merr pjesë dhe teatri. “Festivalin e bën bashkia nëpërmjet teatrit dhe kështu bëhen të gjitha aktivitetet artistike. Një festival që bëhet për herë të parë dhe datën se kemi akoma, por në mars zhvillohet”, thotë Gjeka. Në 5 janar u publikua dhe njoftimi te teatri “Migjeni”, ku Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për pjesëmarrje me krijimtari të reja për festivalin e këngës popullore të qytetit “Pranverë me Këngë”. Sipas njoftimit, festivali “Pranverë me këngë” do të risjellë tek publiku këngën popullore qytetare, duke i dhënë një dimension të ri; për të nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik, përmes interpretimit “live” të këngëve. “Të gjitha materialet muzikore do të shqyrtohen nga produksioni i festivalit, i cili do të zgjedh këngët pjesëmarrëse në festival. Festivali “Pranverë me këngë” do të zhvillohet në muajin mars. Juria e festivalit do të jetë në nivele te larta profesionale”, thuhet në njoftim.

 Projekti

Qëllimi i projektit të këtij festivali është pasurimi i repertorit të muzikës popullore qytetare me krijimtari të re si dhe kultivimi i traditave popullore / qytetare. “Ftohen të gjithë krijuesit të sjellin materialet muzikore tek zyra: Protokoll / Arkivë në Bashkinë Shkodër, drejtuar Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Adresa: Rr. 13 dhjetori, nr.1, Shkodër”, thuhet në njoftim. Do të pranohen suportet digjitale compact disc në formë “Demo”. Kriter kryesor sipas njoftimit është që këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. “Publikimi i tyre në çfarëdolloj forme para natës së parë të zhvillimit të festivalit “Pranverë me këngë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja në festival”, thuhet për festivalin. Autorëve të këngëve, kantautorëve si dhe poetëve, i kërkohet që krijimet e tyre të jenë të mbështetura në tabanin e muzikës popullore të qytetit të Shkodrës. Gjithashtu, njoftimi vijon se autorët janë të lirë të trajtojnë elementet popullorë sipas dëshirës. “ a) Janë të mirëpritura këngët me intonacione të Ahengut; b) Pranohen krijime këngësh për duete apo trio këngëtarësh, apo edhe të shoqëruar me kompleks. Mosrespektimi i kritereve të përcaktuara, është automatikisht përjashtues nga konkurrimi”, thuhet në njoftim. Data e fundit e dorëzimit të materialeve muzikore është 20 janar 2022. Nga data 24- 28 janar do të zgjidhen materialet kaluese dhe më 28 janar shpallet lista e fituesve. Materialet muzikore do të kalojnë në fazën e parë të seleksionimit, ku grupi përzgjedhës i produksionit muzikor, do të marri në shqyrtim këngët. Ky proces përfundon me seleksionimin e këngëve që do të marrin pjesë në festivalin “Pranverë me këngë”. Performimi muzikor do të mbahet nën performimin “live” të këngëtarëve dhe orkestrës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here