Festivali i Këngës në RTSH shënoi 60-vjetorin e tij, por kompozitori i njohur Aleksandër Peçi shprehet pse hesht juria dhe komisioni për atë që ishte në netët e tij. Edicioni i 60 u zhvillua tre net me radhë në 27, 28 dhe 29 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, por kompozitori Aleksandër Peçi “Mjeshtër i Madh” shprehet me kritika ndaj organizatorëve. Kompozitori Peçi thotë se nuk u panë këngët e piramidës së vlerave të muzikës sonë. “Pse vetëm juria?Po komisioni. Një turrë me klithma banale.”Kompozitoren” e vjetshme dhe këtë të sivjetshmen ti ftojnë për të kënduar, por kategorikisht jo për të kompozuar. Çudia është pse hesht komisioni e juria?Ata të komisionit e jurisë janë me profil të ulët kompozicional. 60- vjetor dhe s’pashë këngët e piramidës së vlerave të muzikës shqiptare të panteonit të saj”, shprehet Peçi. Me këngën “Sekret” Ronela Hajati u shpall fituese dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, që do zhvillohet në Torino të Italisë këtë vit. Në reagimin e tij në Facebook kompozitori ashtu si dhe të tjerë autorë që kanë shkruar në rrjetet sociale, shprehet se kënga jonë është ujë kristali, por u soll Lana në tryezë. Sipas Peçit duhet një komision me profesionistë të këngës. “Kush e ka fajin? Po sigurisht dr. artistik dhe 400 milionë e më shumë lekë i hedhin në Lanë, dhe ujin e qelbur të Lanës e çojnë në “Eurosong” Torino. Lana në vargje, Lana në klithma tinguj. A ka një mekanizëm ti ndalojë? Po një superkomision me profesionistë, personalitete që përfaqësojnë shtetin, qeverinë, Ministrinë e Kulturës. Po jo nga ata që ka zyrtarë Ministria e Kulturës, se s’ka asnjë personalitet. Kënga jonë ka ujë kristali. Na sollën Lanën në tryezën e Vitit të Ri dhe hajde gëlltite”, shprehet kompozitori Aleksandër Peçi.
Për të rritur profesionalizmin
Reagimi i kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi për festivalin e 60 është në vijim dhe të artistëve të tjerë që janë shprehur këto ditë, sipas të cilëve munguan edhe autorët e rëndësishëm të muzikës. Kompozitori Peçi shprehet më tej se duhet dhe analiza e këngës në festival. “Doni ju drejtues të RTSH të ngrini në një standart të lartë profesionalizmin, dinjitetin, shqiptarizmin, universalitetin, origjinalitetin e këngëve të festivalit, shtoni bashkë me muzikën, poezinë, orkestracionin dhe analizën e këngës nga autori të të gjithë elementëve përbërës të saj me shkrim dhe në video. 99 për qind e atyre, që marrin pjesë s’dinë ta bëjnë. Kjo e ndan Lanën nga Valbona. Merrni Zhuliana Jorganxhi, që çdo tekst të kalojë me firmën e saj, merrni Shpëtim Saraçin e dikë tjetër, që çdo këngë e orkestruar e analizë të kalojë me firmën e tij”, shprehet Peçi në Facebook. Një tjetër problem sipas kompozitorit Aleksandër Peçi është dhe honorari, që duhet për këngët. “Vini honorar të majmë për kompozitorët se 18 këngë nga 1milion, 18 milionë shkojnë. Po në 500 milionë lekë totali? Pra 3.5 për qind sot ju shkon te kompozitorët, orkestracion, tekst, këngëtar. Po 96.5 për qind çfarë bëhet? Ja pse është degraduar në 30 vjet kënga”, shprehet ai. Prof. Aleksandër Peçi (Mjeshtër i Madh) është kompozitor shumë i njohur dhe një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare bashkëkohore.







































