Partizani ka shpërthyer në merkato ditët e fundit, duke bërë goditje të bujshme, të denja për pretendimet dhe emrin e klubit. Në të vërtetë ishte kritikuar për merkaton e dobët në verë, ku u larguan shumë lojtarë, por këtë herë klubi po nxiton të mbyllë dobësitë e tij me lëvizje të shpejta dhe me emra cilësorë, duke dashur që të ngrihet në pjesën e dytë të sezonit në pretendimet për të marrë pjesë në Europë. Për ta mundësuar këtë, Partizani ka bërë dje disa lëvizje. Në fillim ai kishte afruar Kallakun, por dje u zyrtarizua edhe Skuka që ishte pjesë e dinamos, e në të njëjtën kohë pritet të vijë edhe Eneo Bitri.
Skuka ikën nga Dinamo, bëhet “dem i kuq”
“FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me lojtarin Xhuliano Skuka. Sulmuesi 23-vjeçar dhe klubi kanë nënshkruar kontratën mes tyre të vlefshme deri në vitin 2024. Skuka golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në kategorinë e parë, në 15 javët e këtij sezoni ishte pjesë e Dinamos skuadër me të cilën regjistroi edhe 13 prezenca”, shkruan klubi në njoftimin e tij.
Bitri, një njohje e vjetër
Eneo Bitri është një tjetër lojtar që po kërkohet nga Partizani. Bëhet fjalë për një futbollist që ka qenë më parë me fanellën e kuqe dhe klubi dëshiron ta kthejë atë, për të ndihmuar sulmin në këtë fazë të vështirë të kampionatit, ku kërkohet që të bëhen ndryshime. Lojtari ka qenë pjesë e Astanës në kampionatin e Kazakistanit, por ka vendosur të ndërpresë me konsensus kontratën dhe të kthehet në gjirin e “demave”, aty ku e ka në fakt vendin. Një lëvizje e tillë shihet e dyta më e rëndësishmja për klubin e kuq pas afrimit të sulmuesit Sherif Kallaku. Në 15 xhirot e para të kampionatit Partizani nuk ia doli të imponohet ndaj rivalëve për pasojë ndodhet larg zonës së pretendimeve, por drejtuesit shpresojnë të bëjnë merkato cilësore për të kthyer ditët e mira të grupit, pra për të forcuar sidomos sulmin që të kenë më shumë efikasitet në rezultate. Bitri është një blerje cilësore dhe në këtë kuadër mund të cilësohet blerje serioze për objektivat e Partizanit në pjesën e dytë të edicionit.
Partizani ka objektiv edhe kryegolashënuesin e Kosovës
Tashmë lëvizjet janë në fronte të hapura dhe klubi po përpiqet të mbyllë sa më parë çështjen e sulmit. Këtë e dikton edhe nevoja urgjente që ka skuadra në repartin ofensiv dhe drejtuesit e Partizanit janë të ndërgjegjshëm se ky repart kërkon përforcime cilësore. Partizani ka spostuar të gjithë vëmendjen te merkato teksa në “radarët” e klubit nga kryeqyteti është shfaqur edhe emri i ish-sulmuesit të Kukësit, Mirlind Daku. Partizani po negocion me klubin e Osijekut në Kroaci për ta marrë 24-vjeçarin në formulën e huazimit. Mesa duket të kuqtë kanë si synim për të përforcuar repartin e sulmit, aty ku në 15 javë kampionat janë shënuar po aq gola. 24-vjeçari nga Kosova gjatë këtij sezoni me fanellën e Osijekut në elitën e futbollit kroat është aktivizuar në total në 12 ndeshje ku ka arritur të shënojë dhe 3 gola. Gjithashtu përveç fanellave të Kukësit dhe Osijekut, Mirlind Daku ka mbajtur veshur gjithashtu dhe fanellën e Ballkanit dhe Llapit në Superligën e Kosovës.









































