Filmi “Bolero në vilën e pleqve” me një dramë shqiptare nga data 3 shkurt në kinema për publikun. Filmi me regji nga Spartak Pecani, që deri tani ka marrë katër çmime ndërkombëtare ka në role aktorë të njohur. Filmi me skenar nga Spartak Pecani dhe Linda Fejzaj është një kompleks ndjenjash, marrëdhëniesh që nxjerrin në pah realitetin, të vërtetat që ndonjëherë është frikë ti thuash me zë të lartë, me motive të veprës së Fatos Kongolit me të njëjtin titull. Pak ditë më parë filmi u shfaq premierë dhe sipas regjisorit Spartak Pecani u prit shkëlqyer dhe në ditët e para të muajit shkurt do të jetë në kinematë e Tiranës. Producenti Agim Halili thotë se synimi i tyre është që filmi, që deri tani ka marrë disa vlerësime ndërkombëtare të shkojë dhe në qytete të tjera më pas. “Nga data 3 shkurt filmi do të jetë në kinema në Cineplexx në QTU dhe në TEG, si dhe në kinema Millennium. Por ne duam ta çojmë filmin dhe në kinematë e Shkodrës dhe Gjirokastrës, si dhe në të gjitha sallat e teatrove në rrethe aty ku do të jetë e mundur të shfaqet nëpërmjet projeksionit. Filmi ka qenë i suksesshëm. Ka marrë pjesë deri tani në nëntë festivale ndërkombëtare dhe ka fituar 4 çmime të rëndësishme”, thotë ai. Duke folur për filmin, producenti Agim Halili thotë më tej se tani presin që ta vlerësojë dhe publiku shqiptar. “Ngjarja është shqiptare, aktorët janë ikona të kinemasë sonë. Besoj që publiku shqiptar do ta shfrytëzojë rastin ti çmojë dhe vlerësojë këto figura. Një temë e ditës, që i ngacmon të gjithë brezat mbi 18 vjeç dhe çdokush e gjen veten në film”, thotë producenti Halili.
“Bolero në vilën e pleqve” dhe aktorët
Në rolet e filmit përmendim aktorë si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj apo Ledjon Zoi. Muzika e Endri Sinës dhe kostumografia e Gerta Oparakut duket se i bashkëngjiten po aq mrekullisht këtij filmi. Në qendër të filmit të Pecanit, është një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie. Në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëjë që ajo të shkojë përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbirojë mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshtim me parimet dhe principet që ajo ka. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera, dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare. Gjatë gjithë kohës tingujt e pianos me “Bolero” e Ravelit janë bashkëshoqërues në vilë edhe në fundjetën e pleqve. “Bolero në vilën e pleqve” me regji të Spartak Pecanit është prodhuar nga shtëpia kinematografike “Eclipse S.A” & coproduction “AM Production” dhe financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.









































