Google search engine
Home Sport Bajrami i shënon Strakoshës në barazimin mes Empolit dhe Lacios, merr elozhe

Bajrami i shënon Strakoshës në barazimin mes Empolit dhe Lacios, merr elozhe

0
186

Legjionarët po kalojnë momente të mira, përgjithësisht, sidomos kontigjenti që luan në Serie A italiane, ku pjesa kryesore janë titullarë me ekipet e tyre. Në fakt, ka qenë një nisje e mbarë sidomos për mesfushorin kuqezi Nedim Bajrami, i cili dje jo vetëm shënoi një gol për ekipin e tij Empoli në barazimin 3-3 ndaj Lacios, por ishte në të njëjtën kohë një organizator i shkëlqyer që mbajti ekipin të karikuar për fitore deri në fund. Nga ana tjetër, performanca e tij fantastike po nxit klubet që ta marrin brenda merkatos së janarit dhe janë një numër i madh skuadrash që e kërkojnë Bajramin në këtë periudhë.

Goli kundër Strakoshës

Mesfushori i Shqipërisë, Nedim Bajrami, kontribuoi ditën e djeshme me gol në barazimin e skuadrës së Empolit në udhëtim te Lacio, të enjten në kuadër të xhiros së 20 në Serie A. Empoli barazoi me rezultatin 3:3. Bajrami ishte titullar dhe e kaloi Empolin në epërsi në minutën e gjashtë nga penalltia. Për Bajramin, ky është goli i pestë këtë edicion në kampionatin italian në 18 ndeshje. Ai luajti deri në minutën e 63-të, ndërsa Ardian Ismajli u aktivizua gjatë tërë ndeshjes te Empoli. Te skuadra e Lacios, titullarë ishin portieri Thomas Strakosha e mbrojtësi Elseid Hysaj kurse Vedat Muriqi nuk luajti fare. Sulmuesi i Kosovës ishte në bankën e rezervistëve. Ky barazim lë Empolin në kuotën e 28 pikëve në vendin e nëntë, ndërsa Lacio është në vendin e tetë me 28 pikë.

Empoli i cakton çmim Bajramit

Janë vetë mediumet sportive italiane që shkruajnë se lojtari shqiptar Nedim Bajrami është kthyer në lojtarin e preferuar të disa skuadrave në Seria A. Paraqitjet e tij me skuadrën e Empolit kanë rënë në sytë e drejtuesve të skuadrave italianë, të cilat kanë shprehur hapur edhe pëlqimin që kanë për futbollistin e kombëtares shqiptare. Sasuolo dhe Kaliari janë dy nga ekipet të cilat kërkojnë të përfitojnë shërbimet e Bajramit, por nuk do të jetë aspak e lehtë përballë një Empoli që kërkon të mos lëshojë një nga xhevahirët e skuadrës. Përballë këtyre kërkesave për 22-vjeçarin, Empoli ka menduar t’i vendos çmim Bajramit, teksa e vlerëson këtë të fundit me shifrën 12 milion euro, shifër kjo jo e vogël për ekipe si Sassuolo dhe Kaliari.

Strakosha merr kritika

Strakosha e ka nisur vitin e ri 2022 si titullar tek Lacio, e ky është një lajm padiskutim shumë i mirë për “gardianin” e përfaqësueses kuqezi. por starti i tij si titullar dje nuk shkoi aq mirë, pasi pësoi 3 gola e një prej këtyre golave të pësuar ishte për faj të tij, si pasojë e një daljeje të gabuar. Gjithsesi, pranohet gjerësisht se për portierin e Shqipërisë ky ishte një sinjal i mirë, kthimi si titullar, një pozicion që ai synon ta ruajë deri në fund të sezonit, për të mos u larguar nga lacialët. Në të vërtetë Strakosha po kërkonte skuadër të re dhe kishte nisur të shqyrtonte ofertat, pasi qëndrimi në stol si rezervë tek Lacio shihej i papranueshëm. Lacio e kuptoi situatën që ai mund të ikte, prandaj zbuti qëndrimin dhe i dha mundësinë edhe Strakoshës ta nisë titullar një ndeshje kampionati për vitin e ri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here