Ish-kryetari i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar dënimin me 35 vite burg të Izet Haxhisë për vrasjen e ish-deputeti të PD-së, Azem Hajdarit. Ai u shpreh se 25 vite burg për Izet Haxhiajn janë shumë dhe me të drejtë ai pretendon ta ulë këtë dënim.
Sipas tij problemi qëndron në faktin se Haxhiaj mund të di shumë gjëra për Berishën, por që nuk kanë lidhje me procesin. Ai shprehet se sot askush nuk ka interes më për këtë proces, pasi kanë kaluar 20 vite, dhe ardhja e Izetit nga Turqia ishte momenti kur bëri bujë se do zbuloheshin shumë gjëra, por tani që kanë kaluar vite nuk ka më interes.
“Kemi një tablo të qartë se çfarë ka ndodhur, ndërsa Izeti i dënuar në atë proces gjyqësor si bashkëpunëtor natyrisht nuk ka qenë ndonjë personazh i rëndësishëm edhe pse sot prokuroria ka thënë të kundërtën e ka konsideruar dënimin e tij të rëndë me 25 vite dhe pretendon ta ulë atë. Ky është problemi se Izeti këtu i ka ngatërruar gjërat duke pretenduar se di shumë gjëra, por që s’kanë të bëjnë me procesin. Duket qartë se kurrkush nuk ka dëshirë ta rihapë atë proces dhe pse për mua duhet rihapur. Izeti ka të drejtë ta rishikoj dënimin, por sot kurrkush s’ka interes ti hyjë atij procesi, kanë shkuar 20 vjet do ishin tensione të tepërta. Ardhja e Izetit bëri bujë atëherë me shpresën se do i thojë të gjitha, por ai mund të thojë çdo gjë por jo gjëra që kanë të bëjnë me procesin. Kush ka urdhëruar më lartë mbase do mbeten gjithmonë të paqarta sepse askush s’ka interes ti thojë. Izeti natyrisht që është i pakënaqur sot. Deri sot ka dhënë verdiktin e vet prokuroria, pastaj është gjyqi që do marrë një vendim edhe pse nuk e shoh si një gjyq që do bëjë atë përshtypje si kohën kur Izeti erdhi nga Turqia. Në fund të fundit roje ishte Izeti dhe ja ku jemi, praktikisht sot ja ku jemi nga ju e mora vesh dhe unë për procesin që u bë dje sepse s’ka njeri interes. Të vërteta mund të dalin shumë por jo konkretisht për procesin pasi ai është ezauruar shumë”, tha ai.
Ndërsa lidhur me lakimin e emrit të tij në sallën e gjyqit disa herë se ka bashkëpunuar me Sali Berishën për vrasjen e Azem Hajdarit, Klosi sqaroi se për pozicionin e tij që kishte si kreu i SHISH nuk kishte asnjë interes që të ndodhte. Ai tha se dihej se Azem Hajdari do të vritej dhe për këtë e kishin lajmëruar në atë kohë dhe ky i fundit edhe i kishte falenderuar. Sipas tij vrasja e Hajdarit mund të trajtohet në shumë aspekte për shkak dhe të aktiviteteve të tij të ndryshme edhe pse flitej vetëm për hakmarrjen.
‘Unë kam qenë punonjës i shtetit dhe natyrisht isha një nga ata që kisha për detyrë mbrojtjen e sigurisë kombëtare pjesë e rëndësishme e të cilës është siguria dhe është absurde ta mendosh se unë kisha interes të vritej Azem Hajdari. Vrasja e tij për të bërë gjurulldi, qe një tronditje e fortë e shtetit dhe ishte krejt e kundërta me interesat e mia si zyrtar. Ky problem është tjerrur shumë herë dhe kam thënë pse do ta bëja unë cilat ishin interesat për të marrë pjesë në një gjë të tillë kur ne e dinim se Azemi do vritej. Në Tropojë flitej hapur, si pasojë e hasmërive sepse ato politike nuk flitej. Ishte gjithë viti ‘97-98 që dihej se Azemi do vritej dhe ne e kishim paralajmëruar atë dhe ai na kishte falenderuar duke na thënë se unë i kam marrë masat. Pastaj ne e kuptuam një javë para vrasjes se ai u shtrëngua pak më shumë duke e marrë seriozisht këshillën tonë kur zbuloi se dhe Berisha ishte i implikuar në aferën e tij. Vrasja e Azemit mund të trajtohet në shumë aspekte sepse i tillë ishte Azemi, ishte një njeri që kishte aktivitete nga më të ndryshme.”, u shpreh Klosi për MCN.
I pyetur nëse ka prova për Berishën, Klosi tha se ai që përfitoi më shumë nga kjo ngjarje ishte ai, ndërsa shtoi se Berisha ka qenë gjithmonë i zoti që të mos prekej nga asgjë.
“Në të gjitha ngjarjet e rëndësishme ata që e bëjnë një krim nuk është se s’janë menduar më parë se si do ta mbulojnë aktivitetin e tij. Pra hamendje ka plot sepse ai që e shfrytëzoi më shumë nga të gjithë vrasjen e tij është Berisha. Kjo është pista e parë, Berisha përfitoi më shumë nga kjo vrasje. Aspekti i parë që tërhoqën këmbëzën nuk kishin probleme politike por pretendohej për hakmarrje, por një aspekt politik në ngjarje ishte. Kjo është e veçanta e Berishës ka qenë i zoti të mos prekej në asgjë. Nuk është i vetmi aktivitet që mund ta dënonte Berishën, por ai dhe sot që u shpall ‘non grata’ thotë le të më bien një fakt. Indicie ka, por të them prova… Ka plot ngjarje të rëndësishme për të cilat është e qartë se kush është përgjegjës por nuk ka prova sepse ata njerëz që i organizojnë këto gjëra në fillim mendojnë ‘t i fshehin pastaj e bëjnë.”, tha ai.










































