Shtetet e Bashkuara kanë marrë ditën e djeshme vendimin për të zgjeruar sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik. Ndaj tij janë vendosur masa ekonomike, ndërsa ajo që bie në sy është se Dodik dhe ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha janë futur në të njëjtin “thes”. Vetë i dërguari i DASH, Gabriel Eskobar i cilësoi njësoj gjatë vizitës në Tiranë, por tashmë duket qartë se Berisha është futur në të njëjtën listë me individët që rrezikojnë destabilizimin e Ballkanit. Pak ditë më parë u morën sanksione ndaj serbëve në Veri të Kosovës, ndërsa dje ndaj Dodik, të cilët ishin non grata. Sinjalet janë se tashmë do jetë radha e Berishës për të tilla sanksione. Lideri serb i Bosnje e Hercegovinës, akuzohet për aktivitete korruptive dhe kërcënim të stabilitetit dhe integritetit të BeH. Zëvendës sekretari i Departamentit të Thesarit, Brian Nelson, ka sqaruar se masat ndaj Dodik janë marrë pas përpjekjeve të vazhdueshme të tij për të destabilizuar Bosnjen e më tej edhe rajonin dhe përpjekjet për të cenuar marrëveshjen e Dejtonit. “Aktivitetet korruptive të Milorad Dodik dhe përpjekjet për të prishur Marrëveshjen e Dejtonit i motivuar nga interesi personal, ka kërcënuar stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe tërë rajonit. SHBA-ja nuk do të hezitojë të veprojë kundër atyre që ndjekin korrupsionin, destabilizimin dhe ndarjen në kurriz të popullit të tyre si dhe ndaj atyre që e mundësojnë dhe lehtësojnë këtë sjellje”, ka deklaruar Nelson. Një vendimi i tillë nga Departamenti i Thesarit, vjen pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Joe Biden, urdhër që lejon SHBA të bllokojë pronën dhe të ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara, për ata persona të cilët kërcënojnë paqen apo stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. “Si rezultat i aksionit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në pronë të të sanksionuarve të listuar më sipër që ndodhen në SHBA ose apo kontrollohen nga një shtetas amerikan janë bllokuar dhe duhet të raportohen në OFAC (Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja)”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit. Ndër sanksionet e tjerat, sqarohet të jetë ndalimi i të gjitha transaksioneve të kryera nga qytetarët e SHBA-së, ose brenda Shteteve të Bashkuara (ose në tranzit përmes Shteteve të Bashkuara) që përfshijnë çdo pronë ose të drejtë pronësie të personave të listuar ose të sanksionuar ndryshe. “Ndalimet zbatohen për kontributin ose dhënien e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për ose në dobi të çdo personi të sanksionuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose fondi, mallrash ose shërbimesh nga një person i tillë”, sqarohet në njoftim. Në lidhje me ngjarjen, Dodik tha se nuk di se si ta komentojë vendimin e SHBA-së për ta sanksionuar atë dhe televizionin “Alternativa”. Ai e ka konsidruar një vedim të tillë si të pakuptimtë dhe si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe fjalës së lirë. “Për herë të parë më thanë se po e shkel Dejtonin, pa thënë se ku e kam shkelur Marrëveshjen e Paqes. Tani, siç dëgjoj, akuzohem edhe për korrupsion dhe kundër meje nuk po zhvillohet asnjë procedurë penale për korrupsion në BeH dhe askund në botë”, tha Dodik. Ai mohoi të ketë rrezikuar rendin kushtetues të BeH dhe stabilitetin e saj. Megjithatë kujtojmë se jo shumë kohë më parë, kërcënoi me shkëputje të Republikës Srbska nga Bosnja dhe krijimin e një ushtrie të ndarë për RS.
Zyrtarë të tjerë të sanksionuar
Përveç Milorad Dodik, sanksione janë ndërmarrë edhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë në Bosnje e Hercegovinë. Arsyeja e sanksioneve është përfshirja në korrupsion. Dy zyrtarët e cilët janë shpallur non grata, janë ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës dhe kryetari i Lëvizjes për Veprim Demokratik, Milan Tegeltija dhe Përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare, Mirsad Kukiç. “Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverisë së tyre, si dhe paqen dhe prosperitetin për qytetarët e Bosnjës”, thuhet në deklaratën e shpërndarë ditën e djeshme.
Regon ambasada e SHBA në Tiranë
Lidhur me këtë vendim reagoi edhe ambasada amerikane në Tiranë, çka dërgon sinjale se do ketë të tjera masa ndaj emrave “non grata”. “Sot, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, përcaktoi publikisht Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së BH & një platformë mediatike të lidhur me të, në përgjigje të aktiviteteve korruptive të tij & kërcënimeve të vazhdueshme ndaj stabilitetit & integritetit territorial të BH”, tha ambasada.









































