Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, është shprehur se objektivi i tij i momentit është të kthejë Partizanin tek rezultatet pozitive dhe të vazhdojë punën i qetë për të përmirësuar situatën në grup, por ai nuk përmendi objektiva në krye të skuadrës. Duke folur për mediat pasditen e dy ditëve më parë, ai vuri “piketat” e orientimit të tij në merkato, por edhe në krye të Partizanit, duke thënë se nuk është i përkohshëm si trajner, e nga ana tjetër e cilësoi veten të përshtatshëm për të drejtuar skuadrën e kuqe nisur nga njohja që ka me grupin dhe përvojën e fituar deri më tani. “Dua të falënderoj drejtuesit e Partizanit për këtë mundësi që do të drejtoj këtë legjendë. Me një tifozeri të mrekullueshme, me tifozerinë më të madhe në Shqipëri. Do i falënderoja, do të bëjmë maksimumin nga unë i pari dhe lojtarët që ta meritojnë këtë fanellë. Unë jam pjesë e familjes, e kam detyrim që të jap maksimumin sepse te Partizani nuk ndjej pjesa e anës ekonomike, por marrëdhëniet dhe respektin që kam për klubit. Për pjesën e vështirësisë, skuadra ka bërë mirë dhe falënderoj dhe trajnerin Daja i cili ka dhënë më të mirën për Partizanin dhe trajningun shqiptarë. Puna e çdo trajneri matet me rezultatet, sidomos te Partizani kërkohet gjithmonë bashkëpunimi. Jemi të gjithë të rëndësishëm, nuk është vetëm çështja e trajnerit për të zgjidhur këtë situatë, por të gjithë bashkë duke filluar nga drejtuesit, tifozët, lojtarët dhe këta të fundit duhet ta kuptojnë se cilën fanellë përfaqësojnë në Shqipëri”, theksoi Mehmeti.
Objektiv vetëm ndeshja e radhës
Trajneri Mehmeti e ka të qartë se pozitat e Partizanit nuk janë aspak komode, prandaj dhe nuk jep garanci për titullin, duke pasur objektiv vetëm ndeshjen e radhës. “E kam ndjekur gjatë gjithë kohën skuadrën sepse kam qenë pjesë e saj, mendoj që ekipi ka pasur oshilacione në lojë, por ka bërë dhe shumë mirë. Në futboll duhet shumë, punë dhe djersë, por duhet dhe fati. Që ta riformatosh të gjithë ekipin nga e para do të duhet që të ndryshosh të gjithë mentalitetin e të gjithë elementëve të rinj që kanë ardhur që ta duan këtë fanellë dhe normalisht do të vijnë rezultatet. Shkalla e vështirësisë është shumë e madhe, por vështirësitë në futboll nuk më druajnë dhe më japin besim për të dalë nga kjo situatë me djemtë dhe besoj se do t’ia dalim. Objektivi për sa kohë jam këtu, ndeshja e radhës është ajo që dua. Kam besim se do ja dalim. Puna e mirë që po bëhet për të vënë pikat mbi ‘i’, kam besim se marrëdhënia lojtar-staf-klub do na nxjerrë nga kjo gjendje. Të pranojmë gabimet, jam edhe unë pjesë e tyre. Nuk ka justifikime në futboll, ta kërkojmë fajin te vetja. Aty ku kemi gabuar, nxjerrim konkluzionet, kemi nevojë për 2-3 elementë për të dalë nga këtu”, shtoi Mehmeti.
Në merkato për të forcuar boshtin
Në fund trajneri Dritan Mehmeti foli për merkaton e të kuqve, duke u fokusuar në blerje që forcojnë boshtin e grupit. “Në merkato do të fokusohemi në qendër të mbrojtjes, te boshti i ekipit. Në mesin e fushës dhe sulm. Në varësi të elementit që kam do zgjedh edhe formacionin. Titullin kampion? E kam javën e parë, pas kësaj jave do flasim sërish për titullin kampion”, përfundoi Dritan Mehmeti.