Lojtarët e Kombëtares kuqezi po përpiqen të lënë gjurmë me skuadrat e tyre në Europë, duke dashur që të jenë protagonistë dhe vendimtarë me skuadrat ku aktivizohen. Por ka dhe prej atyre që po shqyrtojnë ofertat e ardhura në adresë të tyre në këtë periudhë merkatoje dimërore, ku ambiciet janë për të kaluar në klube më cilësore dhe që kanë më shumë shanse aktivizimi. Natyrisht, ka shumë emra që lakohen, por nuk kanë munguar edhe emrat e atyre futbollistëve shqiptarë që nuk luajnë për përfaqësuesen kuqezi, sidomos ata të Zvicrës. Kështu, Xherdan Shaqiri ka qenë në fokus të medieve sportive në Francë dhe në Zvicër, pasi një klub i famshëm turk e ka përfshirë në “radarët” e tij dhe dëshiron ta veshë “xhuxhin” shqiptar me fanellën e rëndë të Fenerbahçes. Nga ana tjetër, mesfushori kuqezi, Amir Abrashi, i cili ka një kontribut të rëndësishëm në paraqitjet e përfaqësueses gjatë 7 vjetëve të vjetëve të fundit, synon ta ruajë cilësinë e tij edhe në vazhdim, duke mos hequr dorë nga skuadra kuqezi. Ai po kalon një fazë rikuperimi, që shpreson ta heqë qafe sa më parë dhe të kthehet në radhët e skuadrës së tij zvicerane e po ashtu dhe në Kombëtare për sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve. Ndoshta edicioni i radhës kualifikues është i fundit për të, nisur dhe nga mosha, por për një “motor” si ai vështirë të thuhet se mund të ndalet për të dhënë kontributin e tij edhe për disa vite.
Keidi Bare e nis mbarë vitin 2022, kualifikohet në Kupën e Spanjës me Espajolin
Një nga lojtarët që mori rol titullari në përfaqësuese gjatë eliminatoreve të Botërorit ishte mesfushori i Espanjolit, Keidi Bare. Në fakt, Bare ka qenë lojtari i parë i Kombëtares shqiptare që ka zbritur në fushë. Mbrëmjen e së martës në ndeshjen e Kupës së Mbretit mes Ponferadinës dhe Espanjolit, e mbyllur me rezultatin e barabartë 1-1, mesfushori ka qenë në fushë për 90 minuta. Një ndeshje e mirë për numrin 20 të Espanjolit, i cili ka lënë pas dëmtimet e shpeshta dhe po arrin që të luajë çdo ndeshje. Sa i përket paraqitjes së djeshme, Bare është vlerësuar me notën 6.9 nga faqja e statistikave “SofaScore”. Ajo që bie në sy është se nga 11 duele, 7 janë fituar nga fieraku, ndërsa ka kompletuar edhe një driblim të saktë. Mesfushori ka shkaktuar tri faulle, por edhe ka fituar po tri të tilla. Gjithashtu, ka kompletuar saktë edhe dy topa të gjatë. Por në kohën shtesë, Espanjoli është treguar i saktë nga pika e penalltive, ku ka shënuar edhe Bare.
Surpriza/ Shaqiri kërkohet nga Fenerbahçe
Nga lojtarët shqiptarë që luajnë për kombëtare të tjera është dhe Xherdan Shaqiri, i cili është prej disa muajsh pjesë e Lionit në Ligue 1 të Francës. Në të vërtetë, sipas medieve sportive franceze, Shaqiri pati një transferim dëshpërues te Lioni, dhe për këtë arsye ai mund të largohet nga kampionati francez. Tani është një skuadër turke që është interesuar për shërbimet e reprezentuesit të Zvicrës. “NTV Spor” ka shkruar se Fenerbahçe dëshiron t’i sigurojë shërbimet e tij dhe është në krye të listës së dëshirave të klubit. Po shqyrtohet mundësia e huazimit të tij. Shaqiri në 13 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar një gol dhe i ka dy asistime. Shumë pak për një lojtar të madh, kështu që transferimi në Stamboll mund të duket opsion më i mirë dhe i realizueshëm për shqiptarin.