Kryendeshja e gjysmëfinales së këtij aktiviteti ishte planifikuar këtë javë, por me kërkesë të Liverpulit u shty për më 13 janar
Një nga kryendeshjet e futbollit anglez, takimi midis Liverpulit dhe Arsenalit, i programuar të luhej këtë javë në kuadër të gjysmëfinales së Kupës EFL, është shtyrë për një javë më vonë. Shkak bëhet pandemia e koronavirusit, e cila ka pasur shifra alarmante infektimesh në rritje në Premier League angleze, aq sa shumë takime janë shtyrë në kategoritë e ndryshme të futbollit dhe rrezikojnë të shtyhen edhe shumë të tjera. Kështu, edhe zyrtarisht, ndeshja e parë gjysmëfinale në “Carabao Cup” mes Arsenalit dhe Liverpulit është shtyrë, me kërkesë të saj të fundit për shkak të rasteve me Covid-19 në Anfield. Ndeshja ishte caktuar të zhvillohej të enjten në “Stadiumin Emirates”, por Liverpuli kërkoi që ndeshja të mos zhvillohej për shkak të numrit në rritje të rasteve me koronavirus në skuadër. “Pasi i kemi rishikuar plotësisht rrethanat, Liga e ka pranuar kërkesën e Liverpulit (për shtyrjen e ndeshjes së parë gjysmëfinale me Arsenalin të enjten), pasi shtyrja ishte opsioni i vetëm, për shkak të përshkallëzimit të rasteve me koronavirus në klub dhe për mbrojtjen e shëndetit të publikut duke mos lejuar që Liverpuli të udhëtojë drejt Londrës”, thuhet në njoftimin e EFL-së. Ndihmëstrajneri i Liverpulit Pepe Lijnders, doli pozitiv në testin për Covid-19 sot, ndërkohë që trajneri Jurgen Klop është ende në izolim. Lijnders e ka drejtuar skuadrën e Liverpulit përkohësisht derisa trajneri Jurgen Klop është në izolim dhe sot pritej të mbante konferencë për media në mungesë të Klopit. Por konferenca për media u anulua, pasi Liverpuli konfirmoi se Lijnders është infektuar me koronavirus. Trajneri Klop dhe tre lojtarë Alison Beker, Roberto Firmino dhe Joel Matip munguan në barazimin 2:2 me Çelsin në fundjavë për shkak të infektimit me virus. Të kuqtë janë edhe pas Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Nabi Keita, të cilët u janë bashkuar kombëtareve të veta përkatëse për Kupën e Kombeve të Afrikës gjatë këtij muaji. Mbetet të shihet se si do të ecë gjendja e skuadrës së Liverpulit në ditët në vijim, por trajneri Jurgen Klop po kërkon të fitojë kohë sa të jetë e mundur, në mënyrë që ta ketë më të lehtë të përballojë kundërshtarin në sfidën e parë gjysmëfinale të kupës në fjalë. Kupa është një prej objektivave të Liverpulit dhe në kushtet kur në kampionat Mançester Siti ka avancuar dhe shihet pretendent, kupa mund të kompensojë objektivin madhor të Liverpulit në sezonin aktual të futbollit anglez.









































