Shfaqjet “Coriolanus” dhe “Unë, Mephisto”, të parat e sezonit artistik në 2022 në skenat e teatrove kombëtare

0
212

Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” e nisin vitin 2022 me dy produksione, që sipas institucioneve më parë janë të rëndësishme. Dy premiera, që u dhanë në skenë në muajin dhjetor që lamë pas dhe këtë vit do të rikthehen për publikun. Në janar sezoni artistik për Teatrin Kombëtar nis me shfaqjen “Coriolanus”, një kryevepër e Shekspirit te “ArTurbina”. Nën drejtimin e regjisorit Altin Basha janë angazhuar aktorë të Teatrit Kombëtar, por dhe të rinj të Universitetit të Arteve. Ndërsa Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nis sezonin në janar me shfaqjen “Unë, Mephisto” me regjinë e Dino Mustafic. “Coriolanus” ishte planifikuar të rikthehej më 7, 8 dhe 9 janar, por të martën Teatri Kombëtar bënte me dije se për arsye shëndetësore një nga aktorët e produksionit nuk mund të performojë, dhe si rrjedhojë shfaqjet janë shtyrë. “Duke ju kërkuar ndjesë dhe falenderuar për mirëkuptimin, ju bëjmë me dije se ju mund të rimbursoni biletën tuaj ose mund ta përdorni atë në shfaqjet e datave 13, 14, 15, dhe 16 janar 2022”, thuhet nga TK. Sipas institucioni kjo është vepra e atij, që është quajtur dhe dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave. “Hero i Romës apo armik i saj? Vepra më politike e atij që mund të quhet dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave, William Shakespeare vjen sërish në “ArTurbina””, shkruan TK. Në rolet e veprës janë Gazmend Gjoka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Viktor Zhusti, Elia Zaharia, Genci Fuga, Hervin Çuli, Dritan Boriçi, Florian Agalliu, Arben Derhemi, Besmir Bitraku, Myzafer Zilfa, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Xhuliano Brisku, Donald Shehu, Doriana Çaushi, Gjergj Mena, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Griseld Kapllanaj, Juxhin Plovishti, Bujar Hoxhaj, etj. Përkthyes Alqi Kristo, skena dhe kostumet Ilirana Loxha Basha, kompozitor dhe mjeshtër i korit miks dhe ritmeve Trimor Dhomi, mjeshtër skene Marco Rubboli, koreograf dhe mjeshtër plastike Robert Nuha, as.regjisore Doriana Çaushi.

“Unë, Mephisto” në skenë

“Unë, Mephisto” rikthehet për publikun në datat 7, 8 dhe 9 janar te “ArTurbina”. Një vepër teatrore që u shfaq në fundvit, por që do të jetë e para për TKES këtë vit. Kjo shfaqje vjen si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe M.A Multidiciplinary Arts me regjinë e të mirënjohurit Dino Mustafic. Për herë të parë në Shqipëri,  flitet përmes artit për fenomenin “Mephisto” në skenën e teatrit. Bazuar dhe inspiruar nga Goethe & Klaus Mann dhe nga eksperiencat individuale të çdokujt në shoqëri do të vijë për spektatorin shfaqja “ Unë, Mephisto”. Një bashkëpunim ndërballkanik me artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia në drejtimin e Dino Mustafic, drejtor i Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Shkruar nga Johan Wolfgan Von Goethe, Klaus Mann, Jeton Neziarj, Paul Eluard, Goran Simic, Klaudia Piroli, Musine Kokalari. As/regjisor Melisa Novosel, koreografi Gjergj Prevazi, kompozitore Irena Popovic, kostumografia Iliriana Basha, graphic design Sara Kapo. Në skenë vjen me aktorët Ilire Vinca, Ema Andrea, Ermir Jonka, Rafael Hoxhaj, Matia Llupa, Krist Lleshi, Ilia Kaçi, Florist Bajgora, Enisa Hysa, etj. Producente Ema Andrea.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here