Pas ditësh të tëra ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike për qytetarët, që nga 22 dhjetori, në kuadër të krizës energjitike që ka kapluar vendin, më në fund Kosova shpalli dje gjendjen e emergjencës. Deputetët në Kuvend votuan vendimin e qeverisë për shpalljen e një gjendjeje të tillë, çka i hap rrugën zbatimit të masave emergjente, të cilat sipas qeverisë do të aplikohen maksimalisht për një afat 60 ditor. Masat të cili parashikohen në vendimin e votuar dje nga 57 deputetë, përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. “Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare”, thuhet në arsyetimin e qeverisë. Sipas ekzekutivit, një rritje e madhe e konsumit të energjisë, është rritur pas rritjes së temperaturave, kjo pasi energjia në vend konsumohet më tepër nga konsumatorët shtëpiakë me rreth 85%. Një tjetër arsye në lidhje me krizën, qeveria ka rreshtuar problemet dhe avaritë të cilat janë krijuar në gjeneratorët e termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B”. Kujtojmë se Kosova shpalli gjendjen e emergjencës shumë më vonë se fqinjët e saj. Maqedonia e Veriut ka shpallur një gjendje të tillë që në nëntor, ndërkohë që Shqipëria ishte ndër të parat në rajon. Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat në fillim të muajit tetor, shpalli emergjencën në lidhje me energjinë elektrike dhe paralajmëroi një dimër të vështirë. Ngarkesa e madhe ka shkaktuar telashe të mëdha edhe në rrjet, derisa pas rënies së Bllokut B në vend janë rikthyer edhe reduktimet e energjisë elektrike, që nga KEDS ishte thënë se do të zgjasin vetëm dy orë, derisa në shumë vende reduktimet kanë zgjatur shumë më shumë. Me qëllim të lehtësimit të krizës, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 20 milionë euro për kompaninë KEDS, meqë këta të fundit kishin prekur fundin sa i përket gjendjes financiare si rezultat i importit të rrymës me çmim shumë të lartë dhe shitjes në Kosovë me çmim shumë më të ulët. Kryeministri Kurti kur është pyetur për krizën në të cilën është futur vendi sa i përket furnizimit me energji elektrike është arsyetuar duke thënë se Kosova s’mund ta blinte më herët rrymën meqë sipas kryeministrit Kurti Kosova nuk e ka infrastrukturën që ta “magazinojë” energjinë.
Ndihma nga Shqipëria
Në një kohë kur edhe vetë Shqipëria është në kushte të vështira sa i përket krizës me energjinë elektrike, qeveria ka marrë vendimin që të furnizojë për dy ditë Kosovën me energji, në mënyrë që qytetarët të mund të festojnë festat e fundvitit normalisht. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, tha se Kryeministri Rama ka kërkuar që të gjendet me çdo kusht një mundësi që të furnizojë Kosovën për festa, “Të gjitha vendet po përballen me një krizë, ne do të sakrifikojmë do të heqim nga rezervat tona për t’ia dërguar Kosovës. Kemi bërë një rakordim, sasia e dërguar 7 mijë e 680 mgb, do të nisim në orën 7 të datës 31 dhe do të transmetojmë deri në orën 24 të datës 1 janar. Do të jetë një instrument që do të jetë depozitim, nuk presim shkëmbim financiar, nuk presim në këto kushte të vështira që ata ndodhen që të paguajnë para, kjo sasi do të na kthehet kur ata të kenë komoditetin, në verë”, vijoi ministrja. Ndërkohë Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar Shqipërinë për një ndihmë të tillë. “Ne e falenderojmë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Republikës së Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementare, ne kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale; ne kemi qymyr, ata kanë ujë”, tha ai. Kurti theksoi se bëhet fjalë për dy ditë dhe se Kosova do të mund t’ia kthejë këtë ndihmë Shqipërisë në verë. “Dhe bëhet fjalë për dy ditë – ndonëse janë dy ditë, janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të viteve dhe më pastaj edhe ne do të kemi mundësi t’u ndihmojmë në rast nevoje në verën e vitit ë ardhshëm. Kjo ndihmë është e veçantë, sepse është ndihmë në kushtet kur edhe Shqipëria vetë nuk i ka punët mirë”, tha Kurti.












































