Zbardhen fondet që kanë shkuar për nga buxheti i shtetit për incenetarorët e mbetjeve. Prokuroria ka arrestuar ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, pak kohë më parë dhe pretendohet për dëme të mëdha në buxhet. Gazeta ka siguruar raportin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të gjitha koncesionet lidhur me financimin deri në vitin 2020. Sa i takon inceneratorit të Tiranës në raport thuhet, se aktualisht projekti është në fazën e ndërtimit dhe të operimit, ndërsa për zhvillimin e projektit, vazhdon menaxhimi i mbetjeve urbane, dherave dhe inerteve, si dhe ka filluar ndërtimi i veprave sipas kritereve, dhe objekteve të miratuara në lejen e ndërtimit. Në raport theksohet, se për sa i përket llojit të financimit, sipas kontratës koncesionare ky projekt koncesionar/PPP është me pagesa të formës “pay per use” ose pagesa e një tarife fikse për çdo ton mbetjesh të depozituara, e cila paguhet nga njësitë e qeverisjes vendore Qarku Tiranë për mbetjet që ato depozitojnë, ndërsa këto pagesa kanë filluar që në vitin 2018. Sipas raportit, për vitin 2020, pagesat faktike janë realizuar në masën 100 për qind të planit vjetor. Në raportin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, thuhet se për vitin 2018 shuma që i është dhënë kompanisë nga buxheti i shtetit është rreth 977 000 000 lekë, në vitin 2019 ka qenë 977 126 000 lekë, në vitin 2020 shuma ka qenë 1 280 000 000 lekë, ndërsa për vitin 2021 është planifikuar 1 386 921 000 lekë që jepen nga buxheti.
Financimet për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit
Ndërkohë, sa i përket inceneratorit të Fierit, pagesat buxhetore kanë filluar në 2017, me kohëzgjatje 6 vjet (2017-2023). Pagesat faktike të vitit 2020 janë në masën rreth 752,7 milionë lekë, duke rezultuar me një realizim prej 99.6 për qind nga plani vjetor. Kështu për vitin 2019 kompania ka marrë shumën e cila shkon në vlerën e 752 771 000 lekësh, në vitin 2019 vlera është 725 770 000 lekë, në vitin 2020 është 752 770 000 lekë për vitin 2021 është projektuar 75 277 000 lekë. Ndërkohë, një tjetër incenerator është edhe ai i Elbasanit. Në raportin e Ministrisë së Financave thuhet, se sasia e mbetjeve të rikuperuara në vit e parashikuar në kontratë është 43,200 ton/vit. Për vitin 2020 janë rikuperuar 35,777 ton apo 18.3 për qind më pak se sasia e parashikuar në kontratë, për shkak se jo të gjitha Bashkitë e Qarkut të Elbasanit (Peqin, Prrenjas, Gramsh dhe Belsh) i dërgojnë mbetjet në impiantin e ndërtuar. Në impiant i dërgojnë mbetjet për trajtim vetëm bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Cërrik, ndërsa bashkitë Peqin, Përrenjas, Gramsh dhe Belsh, për arsye të kostos së lartë të transportit, nuk kanë filluar ende dërgimin e mbetjeve. Sa i përket pagesave faktike të vitit 2020 janë në masën rreth 582,7 milionë lekë, duke rezultuar me një realizim prej 99.3 për qind nga plani vjetor. Për vitin 2018 vlera që i është dhënë kompanisë nga buxheti i shtetit ka qenë 601 429 000 lekë, për vitin 2019 shuma është 631 317 000 lekë në vitin 2020 kompania ka marr 582 720 000 lekë dhe në vitin 2021 është projektuar 49 124 000 lekë.









































