Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen që u regjistrua ditën e sotme në fshatin Gjocat të Peqinit. Viktima është Albi Bashaliu, ndërsa ishin banorët ata që gjetën trupin e pajetë në mes të rrugës. Ndërkohë, një dëshmitar thotë se autorët ishin me kapele dhe maskë anti-Covid.
Ndërsa Migen Sejdini, pronari i lokalit përballë të cilit ndodhi vrasja ka treguar se si u krye krimi.
‘Kisha mbyllur dyert e dritaret, pasi kam sobën dhe thashë rrinë ngrohtë ata që pinë kafe. Sa doli personat ishin këtu në pritje. Ai doli me u futë, në mes të rrugës, doli një njeri nga makina me pistoletë në dorë. Dëgjuam bam bam, ne na ngjau si fishekzjarre dhe jo si krismë pistolete’, është shprehur dëshmitari i vrasjes së Albi Bashalliut për mediat.
Vlen të theksohet se vrasja e 35-vjeçarit mund të ketë ndodhur për hakmarrje, për shkak se vëllai i tij kishte vrarë një biznesmen në qershor të këtij viti për motive banale.









































