Google search engine
Home Politike Berisha mobilizon mbështetësit për të pushtuar PD-në, protesta e 8 janarit pritet...

Berisha mobilizon mbështetësit për të pushtuar PD-në, protesta e 8 janarit pritet të mbyllet në ambientet e SHQUP-it, zbardhen prapaskenat

0
226

Ish-kryeministri Sali Berisha po përgatitet për të pushtuar selinë e Partisë Demokratike dhe çuar vendin drejt trazirave. Më 20 dhjetor të këtij muaji, ish-kryeministri Berisha zhvilloi një protestë kundër qeverisë “Rama 3” dhe vizitës në Tiranë të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç. Ky tubim nisi para godinës së demokratëve dhe në finale u përqendruar përpara selisë së Kryeministrisë, ndërsa ish-kryeministri Berisha e kishte paralajmëruar se do të ishte madhështor. Por ky parashikim nuk rezultoi i saktë, pasi thirrjes së Berishës për protestë iu bashkuan pak qytetarë. Për rrjedhojë plani i Berishës për t’i treguar “muskujt” kryeministrit Edi Rama, kryedemokratit Lulzim Basha dhe ndërkombëtarëve, u hodh në “erë”. Vetë Berisha dhe mbështetësit e tij e justifikuan dështimin e këtij manifestimi, me arsyetimin se koha në dispozicion nga thirrja deri tek mbajtja e protestës ishte vetëm 48 orë, që sipas tyre, nuk ishte në favor të qytetarëve.

Berisha mobilizon mbështetësit për të pushtuar PD-në

Por duket se Sali Berisha nuk dorëzohet, sepse ai ka thirrur një tjetër protestë kombëtare, të cilën kërkon ta përdorë si provë force kundër kundërshtarëve të tij, e veçanërisht kreut të PD dhe pse jo për të treguar se ai ka mbështetje masive. 5 Janari 2022 është afati i fundit që Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i ka lënë Lulzim Bashës që të largohet nga zyra pas referendumit për shkarkimin e tij. Në të kundërt siç kanë pohuar Berisha dhe ithtarët e tij, Basha do të dalë nga zyra nga presioni i demokratëve. Këtë të premte Berisha paralajmëroi se më 8 janar, që i bie 3 ditë pasi të skadojë ultimatumi ndaj Bashës, qytetarët shqiptarë janë thirrur prej tij në një protestë kombëtare. Ndërkohë gazeta ka mësuar detaje nga organizmi, teksa mësohet se ish-lideri demokrat ka mobilizuar mbështetësit që punojnë fort, që të kenë sa më shumë njerëz në tubimin e thirrur prej tij. Mësohet se në të gjithë vendin besnikët e Berishës kanë nisur takimet, duke lobuar dhe bindur demokratët që t’i bashkohen protestë së 8 janarit. Tubimi është thirrur kundër skandaleve të fundit që kanë ndodhur në vend, siç është rrjedhja e të dhënave të qytetarëve, ndërsa thuhet se do të mbahet para godinës së Policisë. Mirëpo burime të sigurta pohuan se protesta e 8 janarit pritet të mbyllet në ambientet e SHQUP-it, ku Berisha dhe mbështetësit e tij do të tentojnë të pushtojnë selinë e PD, nëse Lulzim Basha ka refuzuar ultimatumin e tyre që i jepte kohë për të reflektuar deri më 5 janar. Pra sipas të njëjtave burimeve, mësohet se në prapaskenë Berisha ka mobilizuar mbështetësit e tij që të çojnë në protestë sa më shumë qytetarë, të cilët do t’i përdorë pastaj për të marrë në kontroll selinë blu. Kjo do të thotë se qëllimi i vërtet i protestës së 8 janarit të vitit që vjen, nuk janë skandalet e qeverisë, por pushtimi i godinës së Partisë Demokratike nga një numër i madh qytetarësh, ç’ka në një farë mënyre do të “përkëdhelte” edhe sedrën e Berishës, duke iu treguar të gjithë se shikoni sa shumë mbështetje kam. Kujtojmë që këtë të premte që shkoi vetë Berisha nga emisioni “Zonë e Lirë” zbuloi se demokratët do shkojnë tek selia blu, nëse Basha nuk reflekton. “Data 8 do jetë datë protestë e fuqishme, është përcaktuar datë proteste kombëtar, 44 mijë anëtarë të PD që firmosën të bëjnë historinë do të marrin në dorëzim selinë blu. Kjo nuk ka asnjë lloj diskutimi”, deklaroi Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here