Kreu demokrat Lulzim Basha pritet të thellojë masat ndëshkimore ndaj mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas largimit nga Kryesia dhe sekretariatet, deputetët e “Foltores” nuk do të jenë më as drejtues politik në qarqe. Kështu, Tritan Shehu mund të mos e drejtojë më Gjirokastrën, Edi Paloka nuk do të jetë më në krye të Durrësit, Agron Shehaj do të largohet nga drejtimi i degëve 5 dhe 7 në Tiranë po ashtu dhe Edmond Spaho nuk do të drejtojë më qarkun e Korçës. Pritet që këto emra të zëvendësohen me njerëz të besuar të Bashës. Shumë nga njerëzit që i janë bashkuar Berishës, në janar pritet të largohen. Basha më herët ka deklaruar se do të ketë ndëshkime të ashpra sipas statutit për ata që nuk zbatojnë vendimet e kryesisë teksa ka paralajmëruar edhe përjashtime. “Kur dikush brenda shtëpisë, e konsideron veten mbi të tjerët, i bie me shkelm rregullave, i bie me shkelm sakrificës së demokratëve pa diskutim që rregullat e shtëpisë, në këtë rast statuti, do të zbatohen. Dhe kjo është jo thjeshtë detyrë dhe përgjegjësi e çdo demokrati, po është mbi të gjitha një nga arsyet kryesore se pse këto institucione ekzistojnë, që nga kryetari i zgjedhur me një anëtar një votë, pak muaj më parë, në një garë të hapur dhe transparente, tek institucionet e tjera legjitime”, është shprehur Basha.
Pastrimi i bazës
Nga ana tjetër veç këtyre largimeve të mundshme, PD pritet të rinisë edhe strukturimin në bazë. Vitin që vjen krerëve të degëve u mbaron mandati dhe kështu PD mund të shkojë në zgjedhje. Po ashtu pritet të ketë zgjedhje edhe në nivel seksionesh dhe grupseksionesh pasi shumë prej përfaqësuesve i janë bashkuar ish-kryeministrit. Duket se Basha po bën çmos për të ndërprerë lidhjet e njerëzve të Berishës me strukturat e PD dhe kjo nisi që nga largimi i Agim Baçit nga dega e PD në Fier fill pasi ai deklaroi mbështetjen ndaj “Foltores” së Berishës. Po ashtu vijoi edhe me zhvendosjen e deputetit Oerd Bylykbashi nga komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit pas mbështetjes ndaj “Foltores”. Pas kësaj erdhi vendimi i përjashtimit të deputetit Flamur Noka nga Komisioni i Sigurisë. Ky vendim i Bashës solli shumë reagime nga radhët e PD dhe erdhi si pasojë e mbështetjes që Noka kishte shfaqur hapur ndaj Berishës por edhe nga debatet e fundit që kishin vijuar brenda partisë. Ndërkohë Basha pasi shkarkoi 12 krerët e degëve Shijak, Fushë-Krujë, Tiranë degët 1, 3, 9, 10, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Kuçovë, Vlorë dhe Gjirokastër, emëroi 12 kryetarët e rinj. Degët e Tiranës kanë si drejtues politik nënkryetarët e PD, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Alfred Rushaj. Në degën e Devollit u emërua Bledion Nallbati ndërsa në degën e Shijakut, Red Varaku. Kujtojmë po ashtu se Këshilli Kombëtar i PD-së, shkarkoi më 12 dhjetor kryetarin e Këshillit Kombëtar Edi Paloka, anëtarët e kryesisë, Flamur Noka, Aldo Bumçit, Gent Strazimirit, Albana Vokshit, Oerd Bylykbashit si dhe sekretarët Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia teksa pritet edhe zëvendësimi i tyre. Po ashtu PD depozitoi në Kuvend edhe një kërkesë për të larguar Albana Vokshin nga kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, Flamur Nokën nga Komisioni i Sigurisë, Oerd Bylykbashin nga Komisioni i Ligjeve dhe Belind Këlliçi nga Komisioni i Integrimit.










































