Policia e Korçës ka dhënë një njoftim shumë të rëndësishëm në lidhje me ata persona që këtë fundjavë kanë si destinacion Korçën dhe Dardhën. Policia ka njoftuar se për datat 24 dhe 25 dhjetor 2021, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve me kapacitet mbi 20 vende, mbi kilometrin e shtatë, më pas pistën e skive, deri në qendrën e fshatit turistik Dardhë. Nga vendndodhja e lartpërmendur, deri në destinacione të tjera të këtij fshati turistik, qarkullimi mund të kryhet vetëm me automjete me kapacitet deri në 8+1.
Njoftimi
Sektori i Policisë Rrugore. Duke marrë shkas nga fluksi i lartë i mjeteve motorike, të cilat kanë destinacion aksin rrugor Korçë-Dardhë, nga fakti që nuk ka hapësira të mjaftueshme të shesh parkimeve për mjetet e tipit autobus, si edhe nga vështirësitë e hasura në shkëmbimin e mjeteve, njoftojmë të gjithë qytetarët, bizneset e fshatit turistik Dardhë dhe drejtuesit e mjeteve, se për datat 24 dhe 25 dhjetor 2021, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve me kapacitet mbi 20 vende, mbi kilometrin e shtatë, më pas pistën e skive, deri në qendrën e fshatit turistik Dardhë. Sqarojmë se nga vendndodhja e lartpërmendur, deri në destinacione të tjera të këtij fshati turistik, qarkullimi mund të kryhet vetëm me automjete me kapacitet deri në 8+1.
Shërbimet e policisë rrugore, do të jenë në gadishmëri të plotë dhe prezente nëpër akset rrugore, për të qenë pranë qytetarëve duke orientuar trafikun dhe lëvizjen e mjeteve, për të parandaluar çdo bllokim të mundshëm të trafikut ose ngjarje rrugore. Policia Rrugore Korçë, apelon të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjeteve dhe të shmangin përdorimin e pijeve alkoolike, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën vertikale, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe pajisje dimërore. Duke ju uruar gëzuar festat e fundvitit, ftojmë qytetarët që të denoncojnë në portalin Komisariati Dixhital dhe në numrin 112, çdo paligjshmëri. Ju falenderojmë për mirëkuptimin.






































