Google search engine
Home Politike Loja e dyshimtë me gjyqin për statutin e “Foltores”, gjyqtari deklaron se...

Loja e dyshimtë me gjyqin për statutin e “Foltores”, gjyqtari deklaron se ka njohje me Berishën, njerëzit e ish-kryeministrit nisin presionet

0
173

Ish-kryeministri Sali Berisha po bën një lojë të fortë në gjykatë sa i takon ndryshimeve në statutin e Partisë Demokratike. Gjyqtari Agron Zhukri, pasi u përzgjodh për të shqyrtuar çështjen e ndryshimeve të bëra në statutin e Partisë Demokratike, kërkoi dorëheqjen. Zhukri arsyetoi këtë kërkesë duke deklaruar se kishte konflikt interesi në këtë çështje për shkak se kishte njohje me Berishën, pasi bashkëshortja e tij kishte punuar si sekretare e ish-kryeministrit. “Bashkëshortja ime Rezarta Zhukri (Kushi) ka punuar për një periudhë të gjatë me të paditurin Z.Sali Berisha, fillimisht si sekretare personale dhe Shefe e Administratës, duke qenë dhe njëkohësisht dhe anëtare e Partisë Demokratike dhe është në marrëdhënie të ngushtë miqësie. Në këto kushte vlerësoj se është shkak i arsyeshëm dhe publik mospjesëmarrja ime në gjykimin e kësaj çështje”, thuhet në kërkesën e gjyqtarit. Por pavarësisht arsyetimit të gjyqtarit, Gjykata e Tiranës nuk e pranoi kërkesën për dorëheqje duke ia kaluar sërish çështjen me detyrim dhe procedurat e shqyrtimit gjyqësor Zhukrit. Por tre vite më parë, Gjykata e Tiranës, për një çështje të ngjashme, vendosi që Agron Zhukri të mos japë gjykimin e tij pasi kishte deklaruar që kishte lidhje miqësore me ish-kryeministrin. Ndërkohë 3 vjet më pas, për të njëjtin gjyqtar, Gjykata e Tiranës nuk e pranoi kërkesën për ta larguar Agron Zhukrin nga çështja ku është i përfshirë Berisha, edhe pse ai e ka bërë të ditur konfliktin e interesit që ka. Kjo lëvizje tregon se kanë nisur presionet lidhur me këtë çështje. Sipas burimeve ish-kryeministri po bën çmos që statuti i “Foltores” të pranohet, miratimi i tij mendohet se i jep Berishës fuqi për të marrë në duar frenat e PD.

Nisin presionet

Nga ana tjetër, më herët anëtari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Bujar Nishani i pyetur se çfarë do të ndodhë nëse gjyqtari nuk pranon ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, deklaroi se do të krijohet destabilitet. Nishani tha se nuk e merr gjykata vendimin se kush do ta ketë PD-në, por ajo reflekton vetëm për ndryshimet statutore. Sipas tij, nëse dikujt i merr koka erë dhe nuk njeh realitetin e këtij statuti, atëherë do të marrë në qafë veten. “Gjykata nuk mund të marrë një vendim se kush do ta ketë PD-në. Gjykata vetëm reflekton ndryshimet më të fundit të statutit. Nëse gjykata do të vendosë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara ky është problem i gjykatës. Si do ta marrë me dokumente false? Nëse në këtë vend ka koka të nxehta, të cilat kërkojë të imponojnë vullnetin e mijëra njerëzve mbi dokumente të falsifikuara dhe të projektojnë destabilitet…nëse dikujt i merr koka erë dhe nuk njeh këtë realitet, atëherë në qafë pastë veten”, ka qenë deklarata e Nishanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here