Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi pjesën e dytë të seancave dëgjimore me kandidatët që kanë aplikuar për dy vende vakante të krijuara në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vakancat në këshill vijnë për shkak të përfundimit të mandatit 7 vjeçar të zonjës Natasha Ahmetaj dhe zotit Tonin Kola, të zgjedhur si anëtarë në dhjetor të vitit 2014. Në mbledhjen e djeshme u zhvilluan dëgjesa me Edvin Libohova, Elvin Meka, Mateo Spaho, Manuela Tandini, Senida Mesi dhe Marta Muço, të cilët pasi paraqitën eksperiencat profesionale dhe vizionin e tyre në lidhje me pozicionin për të cilën kandidonin, iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me sfidat e BSH, pavarësinë e këtij institucioni, etj. Fillimisht fjalën e mori Senida Mesi, e cila është ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-zëvendës kryeministre. Ajo deklaroi se kontributi i saj në Këshillin Mbikëqyrës ishte të siguronte realizimin e funksioneve dhe objektivave të Bankës së Shqipërisë të përcaktuar qartazi dhe në ligj; të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve, të cilat si rrjedhojë synojnë rritje të punësimit, ruajtjen e inflacionit dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë, të ruajë vlerën e kursimeve, si dhe të ndihmojë stabilitetin e zhvillimin e sistemit financiar. Përmes diskutimeve dhe pyetjeve, ajo mori vlerësimin maksimal nga deputetët e mazhorancës, ku Pranvera Resuli, deputete e PS, vlerësoi eksperiencën profesionale dhe politike të zonjës Mesi. Ndërkohë edhe deputeti i PD, Z. Agalliu, profesionist i sistemit bankar dhe akademik, i cili nuk i kurseu vlerësimet për kandidaturën e zonjës Mesi. “Unë nuk kam asnjë kompleks për të vlerësuar integritetin profesional dhe moral të zonjës Mesi. Zonja Mesi si profesioniste në sistemin Bankar, e kam njohur gjatë periudhës që unë kam qenë në sistemin Bankar dhe kam konsideratën më të lartë për të si profesioniste”, deklaroi Agalliu.










































