Kamza në basketboll për meshkuj u tregua “përbindësh” mbrëmjen e djeshme, pasi mposhti thellë dhe në mënyrë të merituar Tiranën, një rival që shihet pretendent dhe njëherësh një ekip milionash. Në fakt, në sport ndonjëherë nuk vlejnë milionat, por shpirti i skuadrës, disiplina dhe natyrisht përkushtimi i lojtarëve dhe stafit teknik e drejtues. Në këtë duel, këta elementë i pati me shumicë Kamza Basket, e cila siguroi një prej fitoreve mbresëlënëse në kampionatin elitar shqiptar (Superligë) dhe falë kësaj fitoreje ia doli t’i marrë Tiranës edhe vendin e dytë. Një fitore e tillë me 18 pikë diferencë ndaj një emri të madh si Tirana, e bën Kamzën të “fluturojë” në ambiciet e saj, teksa ekipi i bën kështu dhuratën më të bukur për festat e fundvitit kryebashkiakut të Kamzës, Rakip Suli.
Ndeshja
Kamza nuk vinte si favorite në këtë ndeshje, por me synime të qarta dhe me një disiplinim të fortë taktik, ia doli, duke e nxjerrë Tiranën nga “binarët”. I kontaktuar nga gazeta “SOT”, trajneri Eni Llazani nuk e fshehu gëzimin e tij për këtë fitore madhështore të Kamzës, duke thënë se skuadra e tij ia doli mrekullisht në këtë duel të tensionuar. “Ne ishim në vend të tretë, por me këtë fitore u ngjitëm në vend të dytë, duke zbritur Tiranën poshtë nesh. Pra ishte një duel direkt për vend të dytë që e fituam me meritë. Ishte hera e parë këtë sezon që përballeshim me ta, por kishim një “armë” të mirë, pasi nuk kishim mungesa dhe të gjithë titullarët ishin të gatshëm. Kjo na lehtësoi punën dhe na dha fitoren e dëshiruar. Loja tregoi se Kamza është shumë lart, një skuadër që di të bëjë gjërat e mira e të duhura në momentin e duhur dhe unë dua të falënderoj lojtarët e mi për shpirtin e garës që treguan dhe për këtë fitore që ngre më tej moralin e skuadrës. Nuk është e lehtë të mundësh Tiranën, sepse ata janë një skuadër që kanë investuar shumë dhe me pretendime të mëdha, por ne ia dolëm. Madje edhe një nga arbitrat pati një sjellje të çuditshme, pasi nuk po e përtypte dot faktin se Tirana po humbiste. Natyrisht, rivali e përjetoi keq humbjen, por meritat i takojnë Kamzës që u tregua shumë e fortë”, theksoi Llazani.
Grupi
Kamza e këtij sezoni është një skuadër miks, me lojtarë shqiptarë e të huaj. Në grup ka katër basketbollistë amerikanë, por ka dhe një kontigjent shqiptarësh cilësorë si pjesë e ekipeve kombëtare. Niko Thano luan me Kombëtaren e të rriturve, Xhesiko Hajdari luan me përfaqësuesen U-20, po me U-20 luan Lion Alimani, Tedi Lluka luan me U-18 dhe është më i miri i Kombëtares së kësaj moshe, si dhe Ajet Cahani i përfaqësueses U-16. Pra lojtarë të rinj të perspektivës që i japin Kamzës vijimësi dhe forcë. Kjo ishte një mbyllje e shkëlqyer e vitit nga ana e Kamza Basket, që shpreson të bëjë lëvizjet e duhura edhe në merkaton e dimrit, për të mbajtur ritëm me ekipet pretendente. Edhe pse titulli duket i vështirë për t’u arritur, referuar fjalëve të trajnerit Llazani, Kamza ka synim të fitojë çdo ndeshje, duke qëndruar me këmbë në tokë, por e përkushtuar në ambiciet e saj. Meqë ekipi ia dedikoi këtë fitore kryebashkiakut Rakip Suli, i mbetet Bashkisë së Kamzës tashmë të çmojë punën e skuadrës e ta motivojë më shumë atë.









































