Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli, kandidatura e Kosovës, është në listën e ngushtë në edicionin e 94-të të “Oscars” në kategorinë Filmi më i Mirë Ndërkombëtar. Edicioni i 94-të i çmimeve “Oscars” do të jetë më 27 mars të vitit që vjen. Fituesi i trefishtë në “Sundance” dhe i shumë çmimeve të rëndësishme, “Zgjoi” është në kuadër të 15 filmave botërorë, që do të vazhdojnë garën drejt “Oscars” në kategorinë “Best International Feature Film”. “Zgjoi” është bashkëprodhim filmik mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri). Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri bën me dije se ky film është financuar në kategorinë bashkëprodhim në minorancë, me bashkëproducent Paskal Seminin. Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes. Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Rolin e Fahrijes e luan aktorja Yllka Gashi. Për këtë arritje deri tani të filmit “Zgjoi” kanë reaguar artistë të ndryshëm në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë. Regjisorja Blerta Basholli më parë është shprehur në media se pesha e përgjegjësisë për realizimin e këtij filmi ishte më e madhe nisur nga fakti se ai bazohej në ngjarje të vërtetë. Më 21 dhjetor u bë publikimi i listës së 15 finalistëve, ndërsa më 5 shkurt të vitit të ardhshëm mësohen pesë finalistët e kësaj ngjarjeje.









































