Ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka komentuar dje përplasjen mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa shpreh bindjen se Partia Demokratike pasi të qetësohet situata rrezikon të ndahet si subjekt politik. Përmes një statusi në rrjetet sociale, teksa ka parashikuar sesa do të zgjasë procedura gjyqësore mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për ndarjen e PD, juristi Kreshnik Spahiu, theksoi se sipas tij, beteja gjyqësore do të zgjasë 5 deri në 7 vite, pasi nga Gjykata e Tiranës ku dosja do të gjykohet për 6 muaj, do të kalojë në Gjykatën e Apelit, ku do të merret vendimi pas rreth 1 viti. Madje, zoti Spahiu shtoi se çështja do të kalojë në Gjykatën e Lartë, dhe pas kësaj në atë Kushtetuese, ku pritet që vonesa të jetë 2.5 vite, ndërkohë që në fund do të jetë Gjykata e Strasburgut që do t’i japë zgjidhje kësaj çështje, edhe pse vendimi mund të dojë deri në 3 vite që të merret. “Procedura Gjyqësore për ndarjen e Partisë Demokratike do zgjasë 5-7 vjet: Gjykata e Tiranës 6 muaj; Gjykata e Apelit 1 vit; Gjykata e Lartë 1.5 vjet; Gjykata Kushtetuese 1 vit; Gjykata e Strasburgut 3 vjet. Ju lutem, ruajeni këtë mesazh deri në 2028. Faleminderit (Nga Kreshnik Spahiu)”, shkruan ai. Ndërkohë po dje ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka reaguar në rrjetet sociale edhe për incidentin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në selinë blu. Një nga mbështetësit e Berishës hapi me forcë derën e sallës së mbledhjeve në selinë e PD-së. “LIVE: Duke ndodhur tani … Plaku i vitit Ri tek dera, hape po ta mbajti menderja. Lulzim: Gëzuar Krishtlindjet Bardh e Blu”, shkruan ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu.