Kisha e Manastirit të Rubikut pas rikonstruksionit gati të hapë dyert

0
808

Kisha e Manastirit të Rubikut monument kulture në vendin tonë u rikonstruktua përmes programit “EU4Culture”. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bëri të ditur të martën se kjo kishë është e një rëndësie të veçantë për trashëgiminë e vendit tonë. “E keni vënë re kishën e Manastirit të Rubikut. E vendosur mbi shkëmb me pamje nga lumi Fan? Pas rikonstruksionit të saj nga programi “EU4Culture”, kisha e një rëndësie të veçantë për trashëgiminë e Shqipërisë është gati të hapë dyert këtë prag Krishtlindjesh”, shprehet delegacioni i BE, që ka publikuar dhe foto nga kisha e rikonstruktuar e Manastirit të Rubikut, ku shkruhen dhe të dhënat rreth saj. Kisha e Manastirit të Rubikut, një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan. Fillimisht u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës. Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeo-historik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin. Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture. Me një sipërfaqe prej 390 metra katrorë, kisha ngrihet mbi një shkëmb të thepisur buzë lumit Fan, pranë Rubikut. Kjo kishë përfaqëson një objekt të rëndësishëm kulti të shekullit XII- XIII. Ajo ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272. Vlerë unikale e saj janë afresket, piktura murale të stilit bizantin. Godina është monument kulture dhe paraqet interes në aspektin ndërtimor dhe arkitektural. Rikonstruksioni i kishës vjen në vijim dhe të punës, që është bërë me të tjera monumente kulture në vend përmes programit “EU4Culture”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here