Koronavirusi po bën namin në futbollin anglez dhe jo vetëm. Të gjitha kampionatet në Europë janë në panik si pasojë e numrit të madh të infektimeve, sidomos Premier League angleze. 10 ndeshje të kampionatit anglez janë anuluar në ditët e fundit pasi shumë lojtarë dhe pjesëtarë të stafeve të skuadrave kanë rezultuar të infektuar. E gjithë kjo situatë, ka nxjerrë në pah edhe njëherë përqindjen e lojtarëve të vaksinuar dhe atyre të pavaksinuar. Përqindja e këtyre të fundit është ndjeshëm inferiore teksa ata që ende nuk kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës është në masën e 16%. Nga ana tjetër, të vaksinuarit me të paktën një dozë janë në masën e 84%, por nëse në këtë statistikë shtohen edhe pjesëtarët e stafeve, atëherë përqindja e të vaksinuarve të paktën me një dozë mbërrin në 92%. Gjithsesi, kjo shifër e Premier League është inferiore kur vjen puna në krahasimin me Gjermaninë apo Italinë. Kështu, në Gjermani janë të vaksinuar të paktën me një dozë 94% e lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafeve, ndërsa në këtë aspekt rekordin e mban Italia me 98% të lojtarëve dhe stafeve të cilët kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe kanë nisur kështu procesin e imunizimit. Ndërkaq, pavarësisht gjithë situatës alarmante, klubet e Premier League kanë vendosur në një mbledhje ditën e hënë që të mos shtyjnë më ndeshjet e radhës dhe të zbresin normalisht në fushë në datat 26, 28, 30 dhjetor, si dhe më 1 e 2 janar të vitit 2022. Pra, e thënë ndryshe, pandemia e koronavirusit vijon të krijojë probleme serioze në kampionatet elitare në Evropë. Ndërkohë, edhe në Itali është regjistruar një rast pozitiv për një lojtar të njohur. Sipas medieve italiane, ylli i Napolit, Lorenzo Insinje, është infektuar dhe do të detyrohet të pushojë disa ditë. Kështu, në Serinë A, vijnë të tjera lajme për përhapjen e virusit. Infektimi i futbollistit do të thotë që ai të mos jetë në dispozicion të trajnerit Luçiano Spaleti derisa të negativizohet. Vetë klubi i Napolit ka sqaruar nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare se Insinje “ka kryer një tampon molekular dhe ka rezultuar pozitiv. Lojtari do të mbikëqyret gjatë periudhës së izolimit në shtëpinë e tij. Ekipi, pas indikacioneve të autoriteteve shëndetësore, kreu një raund testesh molekulare, rezultatet e së cilave do të shpallen në orët e vona të pasdites”, theksoi ai. Napoli nuk do të mund ta llogaritë dot Insinjen për ndeshjen e fundit të vitit 2021. Kujtojmë që sulmuesi sapo ishte kthyer nga një periudhë e ndërlikuar për shkak të problemeve fizike.