Baleti “Arrëthyesi” nga krijimet më të bukura të repertorit klasik, solistja Ledia Sulaj: E gjen veten i madh e i vogël

0
330

Baleti“Arrëthyesi”, një histori magjike në prag të festave të fundvitit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. TKOB shprehet se është një shfaqje për të gjithë familjen në prag festash, sepse “Arrëthyesi” është baleti i festave, i ëndrrës, i magjisë dhe i dashurisë. “Baleti “Arrëthyesi” është një nga krijimet më të bukura të repertorit klasik botëror. Një përrallë me ushtarë lodër, princër e princesha, kukulla, flokë bore, por edhe me magjistarë të këqij”, thuhet nga TKOB. Baleti me muzikë nga Çajkovski do të jetë në skenë në datat 28, 29 dhe 30 dhjetor ora 18:30. Prima balerina Ledia Sulaj ngjitet në skenë me personazhin e Klarës. Por ajo e quan një vepër baleti, ku e gjen veten i madh e i vogël këtë prag festash. ““Arrëthyesi” përfaqëson rolin e shndërrimit tim si prima balerinë. Çdo Vit të Ri kam kërcyer nga një pjesë të këtij baleti. Është magjiplotë dhe vjen si një ëndërr e bukur, ku e gjen veten i madh e i vogël”, thotë solistja Ledia Sulaj, një emër i njohur i skenës shqiptare me interpretimet e saj. Një balet botëror repertori, ku dirigjente baleti në këtë shfaqje në TKOB është Alisa Gjoni. Marrin pjesë orkestra dhe trupa e baletit e TKOB, si dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Kombëtare Koreografike. Shkruar nga Çajkovski, baleti me dy akte është bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush” nga E.T.A. Hoffmann. Libreti sipas Marius Petipa. Historia rrjedh nga tregimi “Arrëthyesi dhe Mbreti i minjve” i Ernst Theodor Amadeus Hoffmann. Në këtë shfaqje sipas TKOB mbajtja e maskës është detyrueshme.

 Një vepër e veçantë

“Arrëthyesi” që në shumë skena është realizuar si shfaqje baleti, nuk ka munguar dhe në kinema apo teatër. Baleti “Arrëthyesi” është një vepër e veçantë për kompozitorin e famshëm rus Çajkovski, për të cilin ajo u bë njëfarë pike reflektimi, përsiatjesh në lidhje me kuptimin e jetës. Historia te “Arrëthyesi”, flet për një të re me emrin Klara, e cila zvogëlohet sa një miush dhe Arrëthyesi i saj i dashur shkon në luftë së bashku me lodrat e tjera kundër miut të lig. Më vonë ai transformohet në një princ të bukur dhe ata shkojnë së bashku në mbretërinë e zanave floksheqer (Confiturembourg) për të mbretëruar përgjithnjë. Në fillim një balet i porositur nga drejtori i Teatrit të Moskës me kërkesën specifike të mbretërve rusë, “Arrëthyesi” menjëherë u bë një nga veprat më popullore që vihet në skena të teatrove të ndryshëm në botë. Çajkovski kompozoi muzikën e baletit mes viteve 1891 e 1892. Vënia e parë skenike që u realizua në të njëjtën kohë me operën “Iolanta”, po e kompozitorit Çajkovski, u realizua në 18 dhjetor 1892 pranë Teatrit “Mariinskij” të Shën Pjetërburgut në Rusi. Shfaqja me koreografi të balerinit rus Lev Ivanovi, u drejtua nga kompozitori italian Riçardo Drigo. Në vitin 1934 në Mariinsky, (Kirov) Teatri i Operës dhe Baletit u inskenua edicioni i Vassilij Vajnonen dhe po atë vit u pa inskenimi europian i baletit, në Londër në Sadler’s Well, sipas koreografisë së Ivanov. Në Itali mbërriti vetëm pas 4 vitesh të prezantimit të parë të tij, në 1938 në teatrin “La Scala” të Milanos.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here