Google search engine
Home Aktualitet Haig Zacharian: Muzika po dominohet nga amatorët që marrin formula elektronike, shteti...

Haig Zacharian: Muzika po dominohet nga amatorët që marrin formula elektronike, shteti të mbështesë autorët dhe këngëtarët

0
308

Muzika nuk është art që mund të bëhet me pak para, por artistët po mundohen ta kapërcejnë këtë vështirësi, shprehet kompozitori i njohur Haig Zacharian. Kompozitor dhe pedagog i arteve Haig Zacharian është një nga emrat e vlerësuar në muzikën shqiptare, ku edhe dhjetëra filma shqiptarë mbajnë emrin e tij në muzikë. Jemi në muajin e fundit të këtij viti që po mbyllet, por kompozitori Zacharian thotë se duhet investim për krijimtarinë e re. Në intervistën për gazetën “SOT” kompozitori Haig Zacharian shprehet më kritika dhe ndaj institucioneve në vend për muzikën. Ai thotë se muzika serioze ka nevojë për investim dhe nuk është si muzika e lehtë, që ndoshta e justifikon koston me të ardhurat. Kompozitor dhe pedagog i arteve, Haig Zacharian është dhe një nga organizatorët e festivalit Romanca Shqiptare. Por ai thotë se ky festival prej vitesh nuk ka mbështetjen financiare nga Ministria e Kulturës edhe pse është me krijimtarinë e muzikës së re në vendin tonë.

 -Muaji i fundit i 2021. Një vit që po mbyllet, por ju si krijues muzike si po e lini pas nëse flasim për krijimtarinë?

Po të bëj një bilanc, duke pasur parasysh çfarë krijimtarie mund të them që është pak. Veç gjërave që na rrëmbejnë përditë, mësimdhënia, punë të tjera që zakonisht të marrin dhe kohën, vepër të madhe nuk kam bërë, përveç një romance për bariton dhe piano që mori dhe vlerësim. Ishte një projekt me Rumaninë, që morëm pjesë unë dhe Endri Sina dhe për fat u vlerësuam te ai konkurs. Por krijimtaria muzikore kërkon dhe një nxitje. Duhet të ketë aktivitete, që të marrësh pjesë. Por ne aktivitetet muzikore me krijimtari të re na kanë munguar. Përveç Festivalit të Romancave nuk ka tjetër aktivitet me sa di me muzikë të re. Në evente të ndryshme dhe mund të ketë marrë pjesë ndonjë vepër krijimtari e re, por projekte apo event tërësisht me krijimtari të re muzikore vetëm Festivali i Romancave është. Realisht jam difiçitar me krijimtarinë e re. Por dhe gjithë këto shtrëngesa që vijnë për shkak të mungesës së aktiviteteve dhe sallave, që dalëngadalë shpresoj që të lirohen dhe këto influencojnë, por gjithsesi kjo është për këtë vit. Shpresoj të korrigjohet vitin tjetër.

-Ju e vlerësoni si aktivitet Festivalin e Romancave shqiptare dhe rëndësinë e tij për krijimtarinë e muzikës së re. Edhe këtë vit nuk u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës. Si një nga organizatorët çfarë mund të na thoni, sa ka qenë e vështirë zhvillimi festivalit këtë vit që po mbyllet?

Festivali i Romancës ka vite që nuk mbështetet nga Ministria e Kulturës. Ky është një aktivitet muzikor i gjithi me krijimtari të re muzikore, por sigurisht që është zhvilluar me vështirësi. Në fillimet e tij ky festival ka qenë dhe me konkurrime, por ka vite që e kemi rikthyer në jetën artistike dhe është hequr nocioni i konkurrimit. Tani është një mbrëmje e këndshme.

-Pa mbështetje për krijimtarinë muzikore, autorë të ndryshëm shprehen me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës. Çfarë sjell kjo mungesë financimi dhe si ndikon në zhvillimin e krijimtarisë së re muzikore?

Është e turpshme sa investohet për koncertet muzikore pavarësisht krijimtari e re apo jo. Muzika nuk është art që mund të bëhet me pak para, megjithatë artistët shqiptarë po e kapërcejnë dhe këtë vështirësi në sajë të vullnetit të tyre, sepse për financim nga shteti është shumë pak. Është turp të themi se sa paguhet një autor muzike, një këngëtar për të kënduar një pjesë të re muzikore apo për të ekzekutuar një pjesë të re muzikore. Janë shifra të paimagjinueshme. Çfarë e pengon shtetin, që ato para që ka ndërmend ti organizojë në formën e një fondi që dhe artistët ta dinë kaq është mundësia. Normalisht shpërndarja e fondeve bëhet mbi bazën e projekteve jo individuale, projekteve në tërësi ku marrin pjesë shumë vetë, unë për këtë version do të isha. Tani formula nuk jam në gjendje të rekomandoj, por ka mënyra që po aq sa shpenzohen të jenë më efikase. Por që është shumë pak ajo që investohet për muzikën. Muzika serioze asaj që themi ne klasike ka nevojë për investim. Nuk është si muzika e lehtë që ndoshta e justifikon koston me të ardhurat. Në të gjithë botën muzika klasike financohet nga kanale shtetërore, plus që shteti stimulon edhe shoqata të ndryshme, ose institucione që mund të investojnë që të bëhen pjesëtar në aktivitetet muzikore. Kjo është një praktikë, sepse nuk i nxjerr dot kjo lloj muzike shpenzimet e veta. Muzika klasike ka nevojë për një mbështetje të fortë. Ky është një realitet. Në fakt kultura e asaj që konsumon tregu me kulturën bazë kanë një lloj diference. Kanë një lloj diference, që duhet të stimulohet ana tjetër, sepse aty janë të gjithë elementet që vijnë, që përzihen nga trashëgimia, që vjen nga aktualiteti dhe ajo që do të jetë perspektiva. Përveç amatorëve që prodhojnë muzikë të lehtë me formula kompjuterike, të gjithë edhe figurat e mëdha të muzikës së lehtë janë edukuar me këtë lloj muzike që po flasim dhe kërkon investim. Pavarësisht se në krijimtarinë e tyre janë marrë me këngën ose muzikën e lehtë në përgjithësi, edukata muzikore është te kjo lloj muzike. Por amatorë, teknicienë që marrin formula të gatshme elektronike dhe prodhojnë muzikë, nuk e di a quhet muzikë apo jo. Ajo është një pikë për diskutim. Në fakt është një ekuilibër, që është shumë i brishtë. Komercializimi dhe muzika e sallave e konsumit po dominojnë shumë, por gjithsesi vlerat qëndrojnë tek kjo ana tjetër.

-Çfarë ndodh sot me këngët, pasi jemi në prag dhe të Festivalit në RTSH?

Përshtypja ime është që te këngët tek Festivali i Këngës në RTSH janë aktivizuar muzikantë me talent, me gusto, me shije. Për mua produksioni me sa mbaj mend dhe nga festivali i vjetshëm më është dukur serioz dhe i mirë, dhe si krijimtari dhe si performancë e produksion, pra ku vënë duart profesionistë, që janë të formuar në fushën e muzikës. Me sa pashë dhe emrat e festivalit këtë vit, shpresoj që do të jenë të zot të sjellin gjërat me vlerë. Kam një lloj besimi.

-Dhjetëra prodhime filmash në muzikë mbajnë emrin tuaj. Si e kujtoni sot kohën e Kinostudios?

Muzika e parë që kam shkruar si kompozitor për film ka qenë ai me titull “Ilegalët” në vitin 1976, për të vijuar më tej edhe me filma të tjerë. Nostalgjia sundon, megjithatë ajo që kemi përjetuar atë kohë për shkak dhe të moshës, por Kinostudio ishte një ambient pune dhe krijimtarie, që dhe të frymëzonte. Madje e kam për nder, që kam mësuar nga ata muzikantë që i njohim të gjithë dhe kanë shkruar muzikë të bukur filmash, që kanë qenë para meje.

-Diskutimi për shfaqjen e filmave që janë prodhuar para ’90 në Kinostudio është rikthyer. Ju si autor muzike i dhjetëra prej tyre çfarë mund të na thoni?

 Filmat, që janë prodhuar në kohën e Kinostudios koha do ti seleksionojë vetë. Siç jam shprehur dhe më parë unë nuk besoj, që kjo duhet zgjidhur me komision dhe ligj.

-Një aktivitet i vlerësuar prej vitesh. Keni krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës, keni shkruar këngë, muzikë filmash, profesor në Universitetin e Arteve. Si ndiheni sot kur e mendoni gjithë këtë aktivitet?

Më duket sikur shumë gjëra nuk i kam bërë unë. Por më dhimbset, sepse nuk shoh përpara. Nuk arrij të shoh ndoshta unë ku do të ecet me muzikën shqiptare, si do ecet, si do vijnë brezat e rinj.

Veprat dhe aktiviteti

Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës. Vepra e tij janë luajtur në ngjarje të rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe jashtë: Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë. Ka kompozuar këngë për të rritur dhe fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Stili i muzikës së tij është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens të komunikimit të drejtpërdrejtë. Është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetin e tij muzikor. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës, ku duken qartë tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore. Dhjetëra prodhime filmash në muzikë mbajnë emrin e kompozitorit të njohur Haig Zacharian. Muzikë e filmave ndër vite: 1967-Ilegalët, 1978-Dollia e damës sime, 1978-E fshehta e një nate, 1978- Yjet mbi Drin, 1979-Dorina, 1979-Përtej mureve të gurta, 1980-Një ndodhi në port, 1981-Një natë pa dritë, 1982-Shokët, 1982-Vëllezër dhe shokë, 1092-Njeriu i mirë, 1983-Dora e ngrohtë, 1983-Kohë e largët, 1984-I paharruari, 1984-Taulanti kërkon një motër,1985-Pranverë e hidhur, 1985-Të mos heshtësh, 1986-Tre ditë nga një jetë, 1987-Familja ime, 1987-Në emër të lirisë, 1987-Vrasje në gjueti, 1989-Djali elastik, 1998- Flutura në kabinën time, 1990-Kronikë e një nate, 1990-Vetmi, 1993-Këtu bën ftohtë, 1996-Nata, 2010-Maja, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here