Google search engine
Home Bota Rajoni Dodik shton provokimet, takim me oficerët serbë të ushtrisë së Bosnjes, SHBA...

Dodik shton provokimet, takim me oficerët serbë të ushtrisë së Bosnjes, SHBA i dërgon tjetër mesazh të fortë

0
301

Në një kohë që Perëndimi është duke u përpjekur herë me politikë paralajmëruese dhe herë me kërcënime sanksionesh të qetësojë gjendjen në Bosnje e Hercegovinë dhe të stopojë liderin serb të Republikës Srbska Milorad Dodik në veprimet anti boshnjake, duket se ky i fundit është duke i çuar planet e tij në një shkallë më pranë realizimit. Një lidhje me paralajmërimet e Dodik për shkëputjen e RS nga Bosnja dhe krijimin e një ushtrie për Republikën Srbska, është edhe një takim i zhvilluar mes Dodik dhe oficerëve të rangut më të lartë të kombësisë serbe në Forcat e Armatosura të Bosnjës e Hercegovinës, takim i cili është tentuar të mbahet i fshehur. Takimi është zhvilluar të mërkurën dhe është zbuluar vetëm ditën e djeshme nga media bullgare Istraga. Në emër të Forcave të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës, në takim morën pjesë gjeneralmajor Gojko Knezeviç, zëvendësshefi i Shtabit të Përbashkët gjeneralmajor Radovan Iliç, komandanti i Forcave të Armatosura brigadieri Radovan Joviç dhe komandanti i Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë brigadieri Milorad Krajsumoviç. Në takim ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Mirko Okoliç. Kujtojmë që ky takim vjen pas miratimit nga Asambleja Popullore e Republikës Srbska të konkluzioneve që qeverinë e entitetit serb brenda BeH-së, të përgatisë një ligj për formimin e ushtrisë së Republikës Srpska brenda gjashtë muajve. Kjo ka hasur në një reagim të gjerë nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Dodik, ka bërë edhe një tjetër deklaratë e cila është vlerësuar si skandaloze. Ai është shprehur në një reagim për serben “Prva” se shteti boshnjak ka qenë në krizë që kur është formuar në vitin 1992. “Nuk duhej të ishte formuar, kështu që nuk do të kishte krizë”, shtoi ai. Dodik pohoi se ka biseduar me komisionerin evropian, Oliver Varhelyi se çfarë mund të bëhet në Bosnje për të bërë përparim drejt dialogut. “Ai nuk përmendi sanksionet. Ai u përpoq të shpjegojë se ka kërkesa për ndalimin e disa mjeteve që i drejtohen BeH-së nga projekti investues”, tha Dodik. Ai kërcënoi se nëse Perëndimi përpiqet të sanksionojë RS, atëherë ai vetë e ndan RS nga BiH. Ai ka akuzuar edhe partinë në qeverinë gjermane, Të Gjelbrit se po mbjell rrëmujë në rajon. “Ata janë krejtësisht të njëanshëm, janë tifozë të myslimanëve, shqiptarëve dhe shumë armiqësor ndaj serbëve dhe Serbisë. Ajo që di me siguri është se BE-ja nuk do të marrë vendim për sanksione kolektive. Jam i bindur dhe e di pse po flas, por ka mundësi që Gjermania të bëjë diçka në këtë drejtim apo Holanda, e cila tradicionalisht është armiqësore ndaj serbëve”, ka deklaruar ai. Gjithsesi lideri serb ka siguruar se pavarësisht situatës së nderë dhe tensioneve të vazhdueshme, në Bosnje e Hercegovinë nuk do të ketë konflikt. Dodik theksoi se në RS mbizotëron një frymë demokratike, por se është komuniteti ndërkombëtar ai që po kontribuon në krijimin e një situatë të mjegullt, duke përmendur si shembull se ata po dërgojnë Christian Schmidt si Përfaqësues të Lartë pa një vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rusi-SHBA

Duke folur për takimin e tij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin, Dodik tha se Putini është një president i madh dhe një burrë shteti i madh, një njeri që nuk i kërkoi kurrë të bënte diçka sepse ai ndihmoi ekonomikisht, ndryshe nga ata në Perëndim, të cilëve kërkojnë gjithmonë një koncesion politik. “ Putin nuk ka kërkuar kurrë që të bëhet diçka kundër të tjerëve apo palëve të treta”, tha Dodik. Ai deklaroi se Putini i tha se Rusia mbështet marrëveshjet ndërkombëtare, Marrëveshjen e Dejtonit, integritetin territorial të BeH, por gjithashtu mbështet të drejtën e popujve dhe subjekteve përbërës që të bien dakord brenda kësaj, dhe jo që Përfaqësuesi i Lartë të vendosë ligje dhe zgjidhje. Ndërkohë, një qëndrim i ndryshëm është ai i Shteteve të Bashkuara. I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për CNN të pak ditëve më parë, deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina është një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Ai akuzoi zotin Dodik se është thellësisht i korruptuar dhe po përpiqet të përdorë gjuhën etnike si një shpërqendrim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here