Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se Partia Demokratike ka lindur si parti në ditët më të errëta të shpresës, dhe shihet si një instrument ndryshimi jo vazhdimi të mëtejshëm të korrupsionit.
I ftuar në “Real Story”, Lulzim Basha tha se PD sot ka barrën e madhe që t’i përgjigjet jo vetëm pakënaqësive të demokratëve por dhe të socialistëve që janë të pakënaqur nga qeveria e Ramës.
“Nuk dua të pretendoj sot se kam diçka të re për atë që kam thënë para dy javësh. Shqipëria ndodhet në udhëkryq. PD me gjithë procesin e vështirë që po kalon është shpresa e vetme për të dalë nga ky udhëkryq. Përballë kemi një qeveri të konsumuar. E ndjej kudo, te militantë, demokratët, themeluesit, te ata që janë ndjerë të flakur, të anashkaluar, të zhgënjyer, dhe ata që ndihen të zhgënjyer me mua. Bashkë me këtë sens lirie, dhe ata që nuk kanë të bëjnë me PD. Për ta kthyer këtë identitet të PD-së që lindi si parti e shpresës. PD lindi në ditët me të errëta të shpresës. PD shihet si një instrument ndryshimi, jo korrupsioni. Askush nuk pret me të drejtë asgjë të re nga Edi Rama. As vetë socialistët nuk presin më gjë të re. Kjo është barrë shumë e madhe”, tha Basha.










































