Google search engine
Home Politike Drejtesi KPA çel hetimin gjyqësor për Anita Jellën, Komisioneri Publik Darjel Sina këmbëngul...

KPA çel hetimin gjyqësor për Anita Jellën, Komisioneri Publik Darjel Sina këmbëngul te shkarkimi i prokurores

0
311

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor për çështjen e prokurores Anita Jella, pasi administroi provat e dorëzuara prej kësaj të fundit si dhe dëgjoi parashtrimet e saj kundër atyre të paraqitura nga Komisioneri Publik Darjel Sina, i cili kërkoi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi për konstatimet në kriterin e pasurisë dhe për profesionalizmin. Jella i kundërshtoi të gjitha shkaqet e ngritura nga Komisioneri dhe kërkoi që pas çeljes së hetimit gjyqësor, të lihet në fuqi konfirmimi i saj në detyrë. Në fillim të seancës publike që zgjati katër orë, kryesuesja e trupit gjykues Ina Rama njoftoi se ndaj subjektit ishin kryer 7 denoncime të reja, një pjesë e të cilave ishin anonime. Sipas “Birn”, Komisioneri Sina konsideroi se prokurorja Jella ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, konkretisht lidhur me një apartament banimi me sipërfaqe 113 m2 në Durrës, me vlerë 67 mijë e 900 euro. Komisioneri evidentoi faktin se në vitin 2016 subjekti ka deklaruar se është kryer këmbimi i apartamentit me sipërfaqe 97 m2 i porositur në 2011-ën nga bashkëshorti me apartamentin me sipërfaqe 113 m2 të porositur nga kunati, i cili ka hequr dorë dhe kompania ndërtuese i ka kthyer atij shumën 71 mijë e 190 euro. “[…]Nga ky shkëmbim, subjekti i rivlerësimit ka përfituar mbi bazën e vlerës së apartamentit me sip. 97 m2, prenotuar në 2011 për shumën 67.900 euro, apartamentin me sipërfaqe 113 m2 ”, konstatoi Sina dhe shtoi se ky apartament është ende në përdorim të subjektit të rivlerësimit pasi nuk është regjistruar ende pronësia e tij. Komisioneri vlerëson se Jella nuk e ka deklaruar apartamentin që përdor prej vitit 2011 dhe i konsideroi të pabazuara pretendimet e subjektit se në deklarimet periodike, përpara ndryshimeve ligjore, nuk ka qenë e detyrueshme dhe nuk kërkohej deklarimi i sendeve të paluajtshme në përdorim. Ai argumentoi se detyrimi ligjor i subjekteve deklaruese për pasqyrimin e të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme ka qenë që në krye të herës dhe nuk ka pësuar ndryshime. Sina konstatoi se Jella ka pasur detyrimin e deklarimit të të drejtave reale që gëzonte mbi këtë apartament të porositur më parë nga kunati, pasi ka kryer investime që prej vitit 2011 dhe se kontrata e energjisë elektrike figuron në emër të bashkëshortit të saj. Sipas tij, duket se ishte dakordësuar prej atëherë se do ishte pikërisht kjo banesë që subjekti do të blinte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here