Me votë unanime, KLP vendosi të pranojë kërkesën e ILD për dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për prokurorin Shkëlqim Kokona, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
Sipas ILD, prokurori ka bërë shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës. Po ashtu, ILD thekson, se nga ana e prokurorit ka pasur edhe refuzim për të marr në dorëzim dosjet. Ndërkohë, ILD thekson se nga ana e prokurorit ka pasur shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët dhe me oficerë të policisë gjyqësore.
“Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbi veprimtarinë hetimore të magjistratit në periudhën 2018-2021, provohet se, magjistrati ka sjellje të përsëritur refuzuese në mosmarrjen në dorëzim të dosjeve. Ka mospjesëmarrje të përsëritur në seanca gjyqësore, duke shkaktuar shtyrje të gjykimit, apo cenim të drejtpërdrejtë të të drejtës së personit për të kërkuar lirinë e tij, duke mos marrë pjesë në seanca për shuarjen e masës së sigurimit. Ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë. Me këto konkluzione, ILD i kërkoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit SH.K., me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për shkeljet disiplinore dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore shkarkim nga detyra”, thuhet në njoftimin e ILD-së.










































