Google search engine
Home Aktualitet Festivali në RTSH, Miron Kotani: Në disa prej këngëve nuk mund të...

Festivali në RTSH, Miron Kotani: Në disa prej këngëve nuk mund të flasësh për krijimtari kompozicionale, një varfëri në tekste

0
250

Festivali i Këngës në RTSH këtë vit shënon edicionin e 60 dhe zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Vetëm disa ditë na ndajnë nga ngjarja më e madhe e muzikës shqiptare, dhe kompozitori Miron Kotani thotë se janë 60 vite krijimtari e rrugëtim i muzikës së lehtë shqiptare. Sipas tij, po ta përfytyronim muzikën tonë një det, Festivali i Këngës në RTSH është anija më gjigante, ku lundrohet mbi detin e tingujve shqip. “Ajo që ngjall debat është nëse ky event do duhej ta ruante traditën e këngës shqip apo anija RTSH do duhet të shëtisë nëpër dete të tjerë e tinguj pa kuptim, që s’ kanë asnjë lidhje me botën muzikore shqiptare të traditës së këngës shqip. Tani gjoja për tu servirur shqiptarëve “modernen” apo rrymat e komercializuar të pubeve- diskove të përziera me ritmet tallava e injorancën krijuese të DG-eive drejt sallatës çudibërëse “Eurosong”, një sallatë kjo e pangrënshme edhe për amatorin më të vogël të botës muzikore shqiptare”, shprehet Kotani. Ka disa ditë që janë publikuar këngët e Fest. 60 dhe janë njëzet këngë në garë. Por për Miron Kotanim i cili thotë se i ka dëgjuar këngët, diskutohet dhe niveli artistik. “Ku po shkohet ? Me përjashtime të vogla fare të pakta vetëm disa këngë mund ti qëndronin boshtit të Festivalit të Këngës në RTSH, një festival i traditës e me shumë vlera në vite. Niveli i këngëve është i pakonceptueshëm për një festival këngë ( duke përjashtuar 2 – 3 prej tyre). Fare amatoresk e dilentat madje në disa prej këngëve nuk mund të flasësh për krijimtari kompozicionale”, shprehet Kotani.

Tekstet e këngëve

Në prag të festivalit, me kritika Miron Kotani shprehet dhe për tekstet në këngë. Sipas tij, ka këngë që janë me vargje pa lidhje. “Nga ana tjetër shohim një varfëri në ide e prezantim tekstesh. Thuajse të njëjtat tituj e vargje të stisura pa kurrfarë lidhje me njëra -tjetrën. Nuk jam kundër ligjërimit të dialekteve, por jo banalizimit e komercializimit të vargut drejt këngëve të tipit “BBF”, që na kanë shoqëruar në dy dekadat e fundit”, vijon Kotani, mendime që i ka postuar dhe në Facebook të tij. Në festival marrin pjesë 20 këngë, por Miron Kotani shprehet se i kanë pëlqyer dhe ka veçuar 3 prej tyre, që këngët nga vëllezërit korçarë Endri & Stefi, Saimir Çili dhe Rezarta Smaja. Kompozitori Miron Kotani pohon se ka disa vite që ai nuk merr pjesë me këngët e tij në festival, sepse nuk pranon formulën e “Eurosong”. “Unë nuk kam jam dakord me formulën e “Eurosong” nga RTSH. Formulë që për mua vazhdon të jetë e gabuar, sepse ka prishur traditën e festivalit, ka shkatërruar boshtin, strukturën e festivalit. RTSH të vazhdonte ta kishte eskluzivitetin që të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong, por të gjejë një formulë tjetër. Mund të bëjë një spektakël më vete që mos kishte lidhje me festivalin. Kur vë në dispozicion të “Eurosong” një festival kënge, që është ngjarja më kulminante e muzikës shqiptare, aty ke përjashtuar traditën, ke hequr nga gara 40 vjeçarët e lart”, thotë ai. Sipas Kotanit, ky është festivali me më pak këngë në historikun e festivaleve. “Nuk bëhet 60- vjetori me 20 këngë”, thotë ai. Festivali i parë në Radio u zhvillua në 4 net, 21-23 dhe 26 dhjetor 1962.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here